Pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt, ka reaguar Albulena Haxhiu.
Ajo e ka cilësuar vendimin si një përgjigje të merituar ndaj një prej rasteve më të rënda që ka tronditur opinionin publik në vend, raporton lajmi.net
“Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, përpjekjet për ta maskuar krimin me skenarë të rremë vetëm sa e kanë rënduar më tej peshën e këtij rasti.
Haxhiu theksoi se, megjithëse vendimi nuk mund ta kthejë Liridonën pranë familjes së saj, ai dëshmon se askush nuk mund t’i shmanget drejtësisë për krime të tilla.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për intensifikim të përpjekjeve në luftën kundër femicidit, duke kërkuar institucione më të fuqishme dhe zero tolerancë ndaj dhunës.
“Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë”, ka përfunduar ajo./Lajmi.net/