Haxhiu: Abelard Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot deklaroi se LVV ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit, siç thotë ai që “mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Haxhiu në reagimin e saj ka shkruar se Tahiri po vazhdon të manipulojë me të pavërteta.…

Lajme
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot deklaroi se LVV ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit, siç thotë ai që “mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Haxhiu në reagimin e saj ka shkruar se Tahiri po vazhdon të manipulojë me të pavërteta.
Mes tjerash, ajo ka shkruar se Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si Ministër i Drejtësisë.
“Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë. Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”, deklaroi Haxhiu.
Deputetja shtoi tutje se “Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, pra nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999”.
“Si përjashtim, hulumtimi dhe dokumentimi “mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000”.
Kjo nënkupton se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, ndërsa zgjatja deri më fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, siç janë të zhdukurit (obligim nga Ligji i vitit 2011), si dhe viktimat nga minat. Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor”.
“Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte Ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë”, tha ajo.
Mes tjerash, Haxhiu shtoi se “Prandaj Abelardi në vend të shpifjes, duhet të japë llogari pse partia e tij ka marrë këto vendime që e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së”.