Havolli: BQK-ja për 20 vjet, ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në kuadër të “Javës Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”.

Lajme

27/03/2019 15:26

Zëvendësguvernatori Havolli, ka informuar studentët e këtij Universiteti rreth funksionimit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ndikimit që ka ky institucion në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Secili qytetar i Kosovës ka lidhje të drejtpërdrejtë më rolin e Bankës Qendrore. Për 20 vjet të funksionimit të suksesshëm të BQK-së si prej pikëpamjes së institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare mbetet institucion kredibil dhe profesional në kryerjen e detyrave që i kërkon ligji. Pos këtij angazhimi, BQK-ja jep edhe këshilla për institucionet publike, qeverinë dhe kuvendin për politikat fiskale dhe ato zhvillimore. Banka Qendrore është ajo që rregullon, mbikëqyr, licencon të gjitha institucionet. Çdo bankë që operon në Kosovë është e licencuar nga BQK-ja dhe ky licencim i ka hapat e paraparë. Çdo bankë ka kushtet e saj nëse ka pas ndonjë problem siç mund të jetë falimentimi, ne nuk e licencojmë”, ka deklaruar zëvendësguvernatori Havolli.

Siç bëhet e ditur në njoftim, një theks i veçantë i ligjëratës i është kushtuar edhe zhvillimeve në sektorin bankar, ku Zëvendësguvernatori Havolli ka thënë se në Kosovë niveli i kredive të këqija është nën 3% dhe se BQK-ja ka ndërmarrë masa ndaj cilitdo institucion financiar që ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve.

“Ka pas raste kur sistemet nxjerrin edhe gabime, BQK-ja ka marrë masa ku ka detyruar operatorin për kosto shtesë të kthehet nëpër çdo klient individualisht. Ligjet e reja që jemi duke i fuqizuar, po i bëjmë më qëllim që të mbrojmë edhe më shumë konsumatorin. Ruajtja e stabiliteti financiar dhe sigurimi i qasjes në financa të gjithë qytetarëve janë në fokus të BQK-së, e cila mision të vetin ka që mos të lejojë ardhjen e një situate ku rrezikohet sistemi financiar. Gjithashtu për t’i pasur edhe më të sigurta mjetet e qytetarëve nëpër banka, BQK-ja ka në funksion edhe Asistencën me Likuiditet Emergjent. Ne bëjmë analiza të ndryshe duke përfshirë edhe Stres Testin, që na ka treguar se sistemi financiar në Kosovë është i sigurt”, ka thënë Havolli.

Në këtë ligjëratë, studentët parashtruan pyetje të ndryshme nga sektorët që i ka nën përgjegjësi BQK-ja.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari falënderoi Zëvendësguvernatorin e BQK-së, Sokol Havolli për ligjëratën dhe shprehu gatishmërinë që ngjarje të tilla të organizohen edhe në të ardhmen. /Lajmi.net/