Hashim Thaçi premton rritjen e bashkëpunimit me bizneset

Kryeministri Thaçi vizitoi sot një biznes privat në Prizren. Edhe aty premtoi 500 milionë euro investime në bujqësi dhe 50 mijë vende të reja të punës për të rritur kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në agrobiznes.

25/03/2014 18:48

Vazhdimin e mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve vendore, e ka konfirmuar edhe njëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, gjatë një vizite në industrinë ushqimore “Abi” në Prizren, ku janë njohur për së afërmi me investimet e bëra në këtë fabrikë.

Kryeministri Thaçi, ka thënë se rritja e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në këtë agrobiznes, ka bërë që tryezat e kosovarëve të jenë të mbushura me prodhime të freskëta vendore. “Qeveria e Kosovës edhe në të ardhmen do të jetë afër agrobizneseve dhe do ta mbështes rritjen dhe zhvillimin e tyre me të gjitha potencialet që kemi dhe në këtë zhvillim do të ndikojë edhe projekti për investimin e 500 milionë eurove në katër vitet e ardhshme, me të cilat do të gjenerojmë edhe 50 mijë vende të reja të punës”, ka thënë kreu i Qeverisë, raporton RTV 21.

Sipas tij, bashkëpunimi i Qeverisë me bizneset kosovare është çelësi i suksesit për modernizimin dhe zhvillimin e vendit tonë.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka treguar se kjo ministri i ka përkrahur agrobizneset dhe gjithë fermerët në mbarë Kosovën edhe përmes granteve investive, të cilat sipas tij kanë ndikuar në rritjen dhe zhvillimin e tyre. “E mbështetja përmes investimeve që pritet të bëhen në të ardhmen, do t’ju krijojnë mundësi fermerëve dhe agrobizenseve që t’i shtojnë edhe më shumë sipërfaqet e tokës së punueshme dhe t’i rrisin edhe kapacitetet prodhuese dhe përpunuese”, ka thënë ministri Stavileci.

Përmes granteve investive, vitin e kaluar me rreth 4 milionë euro ka përkrahur gjithsej 29 agrobiznese dhe njëra prej tyre është edhe “Abi”, e cila ka përfituar rreth 180 mijë euro grante investive nga Ministria e Bujqësisë, raporton RTV 21.