Hashim Thaçi: Forcat e Armatosura në koordinim me NATO’n

Sipas Kryeministrit Hashim Thaçi, Forca e Armatosur e Kosovës do të jetë e gatshme ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Thaçi, ka thënë se Kosovën e ndan “një kohë shumë e shkurtër” nga themelimi i FAK.

Lajme

18/02/2014 14:17

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të bëhet në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantikë të Kosovës.

Një ditë pasi konfirmoi se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) është çështje javësh, ose muajsh, Thaçi tha se kjo forcë do të jetë e gatshme ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Thaçi, edhe një herë, sot ka thënë se Kosovën e ndan “një kohë shumë e shkurtër” nga themelimi i FAK.

“Na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo është forca e re cila do t’i ketë kapacitetet e mbrojtjes dhe do ta ketë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re”, ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi sot në profilin e tij në Facebook.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të zhvillohen ashtu që të janë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

 

“Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i mbrojnë interesat e Kosovës, të gjithë qytetarët e saj dhe pronën e tyre”.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”.

“Themelimi i Forcave të Armatosura, si shprehje sovraniteti, bëhet në koordinim të plotë me aleatet euroatlantikë”.

“Aftësia që ne vet ta mbrojmë vendin tonë dhe t’i plotësojmë nevojat tona të sigurisë është, po ashtu, parakusht për integrimin e suksesshëm të Kosovës në strukturat Euroatlantike”, ka thënë Kryeministri Thaçi.