Hashim Thaçi dënohet me 17 muaj burgim
Gjykata e Hagës ka shpallur sot vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të dyshuar të drejtësisë. Kjo gjykatë ka dënuar Thaçin 17 muaj burgim, apo 1 vit e pesë muaj. “Ju shpallë fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtarë me anë të veprimit të përbashkët. Fajtor për shkelje…
Lajme
Gjykata e Hagës ka shpallur sot vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të dyshuar të drejtësisë.
Kjo gjykatë ka dënuar Thaçin 17 muaj burgim, apo 1 vit e pesë muaj.
“Ju shpallë fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtarë me anë të veprimit të përbashkët. Fajtor për shkelje të fshehtësisë të procedurës. Dhe fajtor për mosbindje ndaj gjykatës. Ju shpallë të pafajshëm për mosbindje ndaj gjykatës. Për veprat penale të cilat u shpallët fajtor dënoheni me dënim të njësuara 17 muaj burgim”, deklaroi gjykatësi.
Përvec Hashim Thaçit në këtë rast akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Incizimet e bisedave në paraburgim, pjesë e provave kundër Thaçit
Rreth 28 orë incizime nga nëntë vizita që Hashim Thaçi ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë janë pjesë e provave të Prokurorisë në rastin për pengim të drejtësisë.
Sipas Prokurorisë, bisedat e regjistruara gjatë vitit 2023 dëshmojnë se Thaçi u ka dhënë vizitorëve informacione konfidenciale dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.
Regjistrimet janë bërë me autorizim gjyqësor.
Mbrojtja e Thaçit ka kundërshtuar besueshmërinë e transkripteve dhe interpretimin e bisedave nga Prokuroria, duke kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm./Lajmi.net/