Hashim, Kadri, Ramush, Ligji për gjykatën speciale duhet PLOTËSUAR e jo shfuqizuar

Ndalni synimet për shfuqizim të ligjit për gjykatën speciale dhe së bashku me LDK dhe VV plotësojeni ligjin në fjalë e mos lejoni amnistimin e Serbisë për krimet e luftës. Me këtë akt të përbashkët të të gjithë juve për drejtësi për të gjithë, me ju do të jenë që të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës, dhe BE e SHBA do të ndalnin kërcënimet për izolim, sepse krimet e luftës nga Serbia askush nuk ka të drejtë që t’i falë, as drejtësia ndërkombëtare e as ajo vendore.

Lajme

30/12/2017 17:38

Gabimi i parë u bë atëherë kur parlamenti i Kosovës, iu nënshtrua insistimeve të BE dhe SHBA për ndryshimin e kushtetutës dhe miratimin e ligjit për gjykatën speciale në formën e tij aktuale gjysmake dhe selektive.
 
Por tash, kjo gjykatë ekziston dhe është realitet. Këtë realitet të hidhur duhet shfrytëzuar për të gjykuar së pari krimet e Serbisë në këtë gjykatë, pastaj edhe pretendimet e Dick Marty-it, e jo kërcënuar me përkeqësim të stabilitetit të Kosovës për të tentuar shpëtuar veten tuaj nga gjykimi.
 
Gabimin e dytë që të tre ju, Hashim, Kadri e Ramush po e bëni tash kur po kërkoni shfuqizimin e këtij ligji.
 
Motivet tuaja janë krejtësisht personale dhe ju jeni personat me aspak kredibilitet që po i shtyni deputetët për shfuqizimin e ligjit në fjalë.
 
Kërcënimet e Ambasadorit Greg Delawie dhe së fundi edhe të qeverisë së SHBA për izolim të Kosovës duket se po e fusin frikën në palcë të qytetarëve të Kosovës.
 
E kërcënimet tuaja tinëzare për destabilizim të Kosovës nëse ju dhe njerëzit e rrethit tuaj do të dërgoheni për gjykim në këtë gjykatë, janë po aq frikësuese : edhe për qytetarët e Kosovës e edhe për Bashkimin Evropian i cili tashmë ndodhet edhe nën ethet e kërcënimeve të Vladimir Putinit, Aleksandar Vuçiçit e Milorad Dodikut për destabilizim të krejt rajonit.
 
Shoqatat që përfaqësojnë familjarët e viktimave të luftës iu kanë dërguar të të tre juve, partive politike tuaja, qeverive dhe parlamentit të Kosovës kërkesa publike për Plotësim të ligjit që nga 13 Nëntori 2016 deri më tash.
 
Keni heshtur turpshëm ndaj këtyre kërkesave. Në vend që t’iu përgjigjeni pozitivisht këtyre kërkesave ju i keqpërdorët këta familjarë, por edhe veteranët e luftës dhe nënshkrimet e mbi 15000 qytetarëve duke i manipuluar ato me kërkesë për shfuqizim të ligjit.
 
Kjo paskrupullti e juaja është e pafalshme. E pafalshme është dyfish, sepse së pari ju i keni harruar krimet e Serbisë dhe 13000 viktimat shqiptare.
 
Së dyti, me kërkesën për shfuqizime ligjit ju po bëheni faktorë po aq sa edhe BE dhe SHBA për faljen e Serbisë për këto krime të luftës.
 
Prandaj, ndërroni mendjen. Nëse doni që të keni një grimcë kredibilitet para qytetarëve të Kosovës dhe një grimcë respekt nga BE dhe SHBA, ju duhet që të ndërroni kërkesën tuaj dhe të insistoni në plotësimin e ligjit në fjalë, në mënyrë që në këtë gjykatë, prokurori David Schwendiman të detyrohet që të ngre aktpadi ndaj Serbisé dhe krimineléve té saj.
 
Mendjen duhet ndërruar edhe LDK dhe VV.
 
Plotësimi i ligjit është pika e madhe e përbashkët që duhet t’i bashkojë krejt partitë politike shqiptare në Kosovë. LDK dhe VV e kanë gabim kur i fërkojnë duart se gjykata do t’ua shtrojë rrugën drejt pushtetit.
 
Serbia dhe kriminelët e saj nuk bënë që të amnistohen nga asnjë parti politike shqiptare në Kosovë për shkak të synimeve të pushtetit, çfarëdo çofshin arsyetimet publike té tyre.
 
Përderisa BE dhe SHBA janë kundër shfuqizimit të këtij ligji, as njëra e as tjetra, nuk kanë asnjë lloj të drejte që të jenë kundër plotësimit të këtij ligji gjysmak dhe krejtësisht selektiv.
 
BE dhe SHBA nuk kanë të drejtë që të amnistojnë Serbinë nga krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës nga frika e destabilizimit të Kosovës nga Putini e Vuçiçi.
 
Kërkesat e familjarëve të viktimave shqiptare të luftës për drejtési pérmes plotësim të ligjit në fjalë janë të drejta, janë të shenjta. Kërkesat e familjarëve të tjerë për vrasjet e pasluftës po ashtu.
 
Plotësimi i ligjit do të mundësonte drejtësi për të gjithë.
 
Si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës që pretendoni se jeni, dëgjojeni kërkesën e qytetarëve të Kosovës për plotësim të ligjit.
 
Harrojeni shfuqizimin, plotësojeni ligjin për gjykatën speciale dhe mos lejoni amnistimin e Serbisë nga krimet e luftës.