Hasani: Tërheqja e kërkesës nga Osmani është shkelje flagrante e Kushtetutës

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës tërheqjen e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për KosovaPress, Hasani ka thënë se ky veprim është “djallëzor fund e krye” dhe ka për synim bllokimin e punës…

Lajme

05/08/2025 21:03

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës tërheqjen e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani ka thënë se ky veprim është “djallëzor fund e krye” dhe ka për synim bllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese në prag të vendimit që pritet të merret deri më 8 gusht, kur edhe skadon masa e përkohshme e kësaj gjykate për çështjen e moskonstituimit të Kuvendit.

“Kjo tërheqje është djallëzore dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese. Si veprim, është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përbën shkelje flagrante të saj,” deklaroi Hasani për KP.

Presidentja Osmani, në një konferencë për media të martën, njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte të bënte me sqarimin e pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh pas zgjedhjeve. Ajo theksoi se tërheqja nuk e ndalon domosdoshmërisht shqyrtimin e saj nga Gjykata.

Si arsye për tërheqje, Osmani përmendi faktin se gjyqtar raportues i çështjes ishte caktuar Radomir Laban, për të cilin tha se sipas institucioneve të sigurisë, paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Por Hasani e kundërshtoi ashpër këtë arsyetim, duke e cilësuar si një pretekst të paqëndrueshëm dhe “njollë të pashlyeshme për institucionin e Presidentit”.

“Zoti Radomir Laban është aty që 7 vjet, dhe ajo ka pasur këto informata që nga dita e parë e mandatit. Ajo i ka ditur këto të dhëna edhe para një muaji, kur e paraqiti kërkesën – që ishte krejtësisht fiktive dhe me qëllim të paralizimit të Gjykatës,” shtoi Hasani.

Ai tha se një veprim i tillë ka qenë i llogaritur që në fillim, pasi duke ditur që Gjykata ka vetëm shtatë gjyqtarë – numër që përbën kuorumin – eliminimi i njërit prej tyre do të paralizonte vendimmarrjen për çështjen e konstituimit të Kuvendit.

Hasani shtoi se Gjykata Kushtetuese ka mekanizma për të tejkaluar situata të tilla, të cilat i quajti “fiktive dhe djallëzore”, dhe shprehu besimin se ajo nuk do t’i nënshtrohet këtij “shantazhi institucional”.

“Gjykata duhet të vazhdojë me punën e saj dhe të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin,” përfundoi Hasani.