Hasani premton se Kushtetuesja nuk do të shkaktojë vakuum politik

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se institucioni që ai drejton është “viktimë” në gjithë situatën e krijuar politike në vend. 

Lajme

17/06/2014 21:31

(E plotësuar) – Në vijim të emisionit Rubikon, Hasani nuk dha ndonjë datë se kur do të mund të jepet mendimi profesional i Gjykatës Kushtetuese.

Hasani refuzoi të flasë për komentarin e vet, botuar para disa ditëve, lidhur me formimin e koalicioneve, duke thënë që “nuk është e ndershme të bëj unë interpretimin e asaj që kam shkruar”.

Komentari është shkruar për një rast dhe me organizim të një fondacioni gjerman, sqaroi ai.

Ai tha se nuk guxon të interpretojë një çështje që mund të trajtohet pas pak kohe në Gjykatë. “Qytetarët do ta marrin vesh se cili është vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm nëse kjo lëndë do të vijë në dorë të anëtarëve të Gjykatës”.

“Komentimi i Kushtetutës është diçka tjetër, kurse interpretimi i Kushtetutës diçka tjetër”, tha Hasani, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë lidhur me Komentarin.

 

Hasani: Gykata Kushtetuese nuk bën kontroll të marrëveshjeve politike

 

Enver Hasani, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për të bërë kontrollin e marrëveshjeve politike, ndërsa tha se është folur për Kushtetuesën sikur të ishte palë në këtë situatë.

“Është një proces që zhvillohet në të gjitha vendet demokratike. Sa i përket pozicionit të Gjykatës Kushtetuese, është folur aq shpesh për të, thuajse kemi qenë palë në këtë situatë”, tha kreu i Kushtetueses.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka mandat për të bërë kontrollin e marrëveshjeve politike. Këtë situatë e shoh si çdo qytetar i Kosovës”, shtoi ai.

Hasani e ka quajtur absurd involvimin e Gjykatës Kushtetuese në këtë situatë.

“Ka qenë absurd i llojit të vet involvimi i Gjykatës në këtë situatë”, ka thënë ai në Rubikon.