Hasani: Nuk durojmë padrejtësi, gjykata duhet të lirojë krerët e UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani deklaroi se protesta në Hagë tregon motivin dhe vullnetin e të gjithë njerëzve për të mbrojtur vlerat e luftës. Nga vendi ku janë mbledhur me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hasani tha se kjo protestë tregon…

Lajme

14/09/2025 14:18

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani deklaroi se protesta në Hagë tregon motivin dhe vullnetin e të gjithë njerëzve për të mbrojtur vlerat e luftës.

Nga vendi ku janë mbledhur me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hasani tha se kjo protestë tregon “madhështinë, fuqinë dhe organizimin për luftën e drejtë”.

“Të mbahen krerët e luftës pesë vjet në paraburgim është dëmi më i madh që ju ka bërë Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por sot kjo protestë edhe protestat e mëhershme tregojnë fuqinë, motivin, vullnetin e gjithë njerëzve për të mbrojtur vlerat e luftës. Kjo protestë tregon motivin sepse ka pasur padrejtësi, janë padrejtësitë dhe duhet të lirohen krerët e UÇK-së nga paraburgimi”, deklaroi Hasani.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani tha se “UÇK është lufta, gjaku e liria jonë”.

“Sot është një motiv, një vullnet i jashtëzakonshëm për të mbrojtur vlerat e luftës dhe bashkë me ta t’i qojmë porosi secilit nëpër secilën shtëpi, secilën zyre të bashkësisë ndërkombëtare që është një padrejtësi që bëhet nga Dhomat e Specializuara. Ushtria Çlirimtare është lufta jonë, gjaku jonë, liria jonë. Kështu që nuk durojmë padrejtësi, kjo padrejtësi të fshihet dhe gjykata duhet të lirojë krerët e UÇK-së”, shtoi ai.

Në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale janë mbledhur me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata po protestojnë një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes./kp