Hasani: Moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses duhet të bëhet vepër penale, Kurtit e Osmanit s’po ua ndjen për ligjin
Shkeljet kushtetuese këta tetë muaj janë bërë rutinë, sipas Enver Hasanit. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha dje “zoti Albin Kurti dhe zonja Vjosa Osmani nuk duan të ndiejnë fare për Kushtetutën dhe ligjin”. Presidentja e shkeli Kushtetutën me mandatimin e Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re, thotë ai, ndërsa Albin Kurti, sipas tij,…
Lajme
Shkeljet kushtetuese këta tetë muaj janë bërë rutinë, sipas Enver Hasanit. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha dje “zoti Albin Kurti dhe zonja Vjosa Osmani nuk duan të ndiejnë fare për Kushtetutën dhe ligjin”.
Presidentja e shkeli Kushtetutën me mandatimin e Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re, thotë ai, ndërsa Albin Kurti, sipas tij, “është uzurpues i postit të Kryeministrit të Kosovës, sepse nuk mund të mbajë njëkohësisht postin e deputetit dhe të shefit të ekzekutivit, duke votuar herë në zyrat e Qeverisë së Kosovës e herë në sallën e Kuvendit të Kosovës”.
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare tha se moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të bëhet “një vepër e posaçme penale”.
“Një qeveri, një ditë, do të detyrohet të nisë ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Kosovës, për të futur një dispozitë të qartë penale për veprat që lidhen me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në ato ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal duhet të përfshihet edhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si një vepër e posaçme penale. Pastaj bartësit e pushtetit kosovar le t’i interpretojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pranë prokurorit të shtetit!”, tha ai.
Kështu, siç tha ai, “e kanë standardin Shqipëria dhe disa shtete përreth, si edhe disa vende të tjera evropiane”.
“E them këtë për faktin se kjo është tashmë një domosdoshmëri: gjatë këtyre muajve, Kushtetuta dhe ligji janë stërkequr në përmasa të papara në asnjë vend të Evropës – përveç Rusisë”, tha ai.
Ishte e qartë, sipas tij, se Osmani s’i përfilli kriteret mbizotëruese kur vendosi për mandatimin e Konjufcës. Ai thotë se Presidentja s’i mori parasysh fare partitë që përfaqësojnë 63 deputetë të Kuvendit.
Edhe Kuvendi është shpallur i konstituuar në mënyrë arbitrare, sipas profesorit.
“Më lejoni të them për fund se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar ligjërisht, por është shpallur i tillë në mënyrë arbitrare, dhe këtë e ka pranuar opozita. Kjo është gabim, sepse me këtë pranim në heshtje, opozita ka marrë bashkëpërgjegjësinë për prishjen e rendit kushtetues të Kosovës, duke përjashtuar përfaqësimin politik të serbëve lokal dhe të qytetarëve të këtij vendi”.
Kjo, sipas tij, “do të jetë një pengesë serioze për integrimin euro-atlantik të Kosovës, duke sjellë një kosto shumë më të madhe për vendin se sa mendohet sot”.
“Me këtë hap të politikës kosovare, që diskriminon një komunitet në sferën e përfaqësimit politik, sigurisht që tejkalohet dukshëm standardi i pranuar nga zoti Albin Kurti në Ohër më 2013. Ai standard, i njohur tanimë si vetëmenaxhim (autonomi) për serbët lokal, do të shërbejë si bazë për shndërrimin e vetëmenaxhimit në një njësi federale brenda Kosovës, si e vetmja garanci për mbrojtjen e përfaqësimit politik të serbëve lokal dhe të drejtave të tyre njerëzore”, Gazeta Express.
“Siç e dini, nuk jemi pranuar në Këshillin e Evropës, një tragjedi e llojit të vet për shtetësinë e Kosovës, pikërisht shkaku i eliminimit të përfaqësimit politik të serbëve lokal nga strukturat e shtetit të Kosovës. Refuzimi i antarësimit tonë nga Këshilli i Evropës është vetëm fillimi!”, tha Hasani.