Hasani: Gjendja jo kushtetuese në seancë filloi kur Dehari e ndërroi rendin e ditës, Kushtetuesja e ka obligim ta thotë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në lidhje me krizën institucionale në Kosovë, vlerësoi se detyra themelore e kësaj gjykate është të interpretojë Kushtetutën sipas shkronjës dhe frymës së saj, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet mbi të cilat ajo është ndërtuar. Në një intervistë për Beta News Agency, Hasani vlerësoi se…

Lajme

28/07/2025 20:04

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në lidhje me krizën institucionale në Kosovë, vlerësoi se detyra themelore e kësaj gjykate është të interpretojë Kushtetutën sipas shkronjës dhe frymës së saj, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet mbi të cilat ajo është ndërtuar.

Në një intervistë për Beta News Agency, Hasani vlerësoi se nëse me vendimin e Gjykatës Kushtetuese “vendi shkon në zgjedhje pa u konstituuar parlamenti, atëherë Gjykata komprometohet tërësisht”.

Ai thekson se Gjykata Kushtetuese ka për obligim të caktojë “momentin kohor referues” kur ka filluar gjendja jokushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Sipas meje, ai moment është kur kryesuesi i seancës konstituive (të Kuvendit të Kosovës), Avni Dehari, në mënyrë arbitrare ka ndryshuar rendin e ditës”, theksoi Hasani.

Hasani po ashtu shtoi se “kërkesat e PDK-së dhe LDK-së kanë për qëllim vlerësimin e kushtetutshmërisë së sjelljes së Deharit, përkatësisht nga momenti kur pa dakordimin e partive të tjera vendosi të formojë komisionin zgjedhor për votim të fshehtë”.

Sipas Hasanit, që nga ai moment duhet të ricaktohet fillimi i afatit tridhjetëditor, me një sanksion të qartë – “i njëjti person nuk mund të rikandidohet më shumë se dy herë për kryetar”.

“Nëse konstituimi nuk ndodh brenda afatit tridhjetëditor, atëherë deputetëve të partisë fituese u hiqet mandati dhe në vend të tyre vijnë kandidatët pasues”, deklaroi ai.

Sipas Hasanit, që Beta News Agency e cilëson si njohësin më të mirë të së drejtës kushtetuese në Kosovë, më pas partia e dytë merr radhën për të propozuar brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga konstituimi i ri.

“Nëse dështon edhe ajo, kalon te partia e tretë dhe u hiqet mandati edhe deputetëve të partisë së dytë. Vetëm nëse dështon edhe kjo, atëherë konstatohet nevoja për zgjedhje – por me kushtin që deputetëve të legjislaturës së pakonstituuar t’u ndalohet kandidimi”, deklaroi Hasani.

Ai vlerësoi gjithashtu se deputeti dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndodhet “me të dy këmbët në një situatë jokushtetuese” – bashkë me ministrat që njëkohësisht janë edhe deputetë.

“Në kohën kur unë isha në krye të Gjykatës Kushtetuese, një situatë e tillë nuk do të kalonte pa decertifikim (heqje mandati). Edhe po të kishte 100 për qind të votave, kjo nuk do të kishte rëndësi”, theksoi Hasani.

Si shembull të praktikës kushtetuese për heqjen e mandatit, ai përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2021, kur Gjykata vendosi për jokushtetutshmërinë e zgjedhjes së Avdullah Hotit për kryeministër dhe urdhëroi shpërbërjen e Kuvendit.

Hasani tha gjithashtu se mbajtja e njëkohshme e funksionit të deputetit me një funksion ekzekutiv çon në decertifikim.

“Nuk është e nevojshme që Kushtetuta ta përdorë shprehimisht termin desertifikim. Këtë e bën Gjykata Kushtetuese. Përndryshe, termi decertifikim është një term doktrinar”, theksoi ai.

Ai nënvizoi se shumë gjëra nuk janë të parashikuara shprehimisht në Kushtetutën e Kosovës, por që, siç theksoi ai, Gjykata ka vendosur në bazë të kompetencave të saj interpretuese.

“Gjykata e interpreton Kushtetutën dhe pastaj e zbaton. Organet e tjera janë të detyruara të veprojnë në përputhje me interpretimin e Gjykatës”, tha Hasani.

As rasti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Kosovës për më shumë se gjashtë muaj nuk është i parashikuar, “përveç në rrethana të çmendurisë ose pamundësisë objektive për të ushtruar funksionin”.

“Megjithatë, ne (Gjykata Kushtetuese) gjithmonë kemi mbrojtur qëndrimin se në rrethana të caktuara mund të ketë ushtrues detyre të presidentit”, theksoi ai.

Ai shtoi se “me të njëjtën logjikë është udhëhequr Gjykata edhe në shumë raste të tjera”.

Sipas tij, “mjafton të kujtojmë që as afati tridhjetëditor për konstituimin e Kuvendit nuk është parashikuar si afat prekluziv në Kushtetutë” – por që është “caktuar me vendim të Gjykatës”.

“Kjo është detyra themelore e Gjykatës Kushtetuese: të interpretojë Kushtetutën sipas shkronjës dhe frymës së saj, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet mbi të cilat ai është ndërtuar”, përfundoi Hasani.