Hasani e njofton Kuvendin për përfundim të mandatit të tij në krye të Kushtetueses

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të fillojë procedurën për propozimin e gjyqtarëve të rinj, të cilët prej qershorit të këtij viti do të emërohen në vend të tij dhe gjyqtarit Kadri Kryeziu.

Lajme

13/01/2015 08:15

Pas gjashtë vitesh angazhim, gjyqtarët Hasani dhe Kryeziu, në mesin e këtij viti do të përmbyllin mandatet e tyre në Kushtetuese, dhe në bazë të dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës nuk kanë mundësi rizgjedhjeje.

Sipas zëdhënësit të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, javë më parë kreu i këtij institucioni ia ka adresuar shkresën përkatëse Kuvendit të Kosovës.

“Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka njoftuar Kuvendin e Kosovës për skadimin e mandatit të tij, si dhe të gjyqtarit Kadri Kryeziu, më 26 dhjetor 2014, saktësisht 6 muaj para skadimit të mandatit të tyre (më 26 qershor 2015_ dhe në përputhje me afatin e parashikuar sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Dulës, shkruan sot Koha Ditore.