Haradinaj: Autostrada për Gjilan nisi nën qeverisjen time dhe parashihej të përfundonte më 2021, kjo Qeveri e solli në gjendje të mjerueshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është zhgënjyese dhe dëshpëruese se në çfarë ritmi janë duke u realizuar punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan. Haradianj tha se autostrada që nisi gjatë qeverisjes së tij më 2018, me gjatësi 22.3 km dhe e ndarë në 8 lote në vetëm 19 muajt e parë të projektit ishin…

Lajme

03/10/2024 14:26

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është zhgënjyese dhe dëshpëruese se në çfarë ritmi janë duke u realizuar punimet në autostradën Prishtinë-Gjilan.

Haradianj tha se autostrada që nisi gjatë qeverisjes së tij më 2018, me gjatësi 22.3 km dhe e ndarë në 8 lote në vetëm 19 muajt e parë të projektit ishin përfunduar 47 për qind e punimeve.
Sipas tij, me dinamikën e asaj kohe dhe në bazë të planifikimeve, ky projekt do të duhej të përfundonte më 2021.

Sipas tij, pazotësia e qeverisë aktuale këtë projekt e ka sjellur në gjendje të mjerueshme, ku punimet po ecin me ritëm të ngadaltë, duke e lënë kështu Gjilanin dhe Anamoravën të izoluar, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë:

Zhgënjyes dhe dëshpërues ritmi i punimeve në autostradën Prishtinë – Gjilan!

Në autostradën që e filluam gjatë qeverisjes sime më 2018, me gjatësi prej 22.3 km dhe e ndarë në 8 llote, në vetëm 19 muajt e parë të projektit, kanë qenë të përfunduara 47% e punimeve. Me dinamikën e asaj kohe dhe në bazë të planifikimeve tona, ky projekt do duhej të përfundonte në 2021.

Pazotësia e qeverisë aktuale, këtë projekt e ka sjellur në gjendje të mjerueshme. Punimet po ecin me ritëm të ngadaltë, duke lënë Gjilanin dhe Anamoravën të izoluar. Kjo përbuzje nga pushteti qendror është e pafalshme. Qeveria aktuale jo vetëm që ka ndërprerë shumë projekte të filluara nga ne, por edhe ato që po vazhdojnë po kryhen me cilësi të dobët.
Më 9 shkurt, kemi mundësinë të zgjedhim një qeverisje të re që do t’i japë Kosovës zhvillimin që meriton. Me AAK-në në pushtet, Gjilani do të rikthehet në qendër të investimeve dhe projekteve kapitale./Lajmi.net/