Haradinaj thotë se edhe komunitetet joshumicë duhet të përfshihen në dialog

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar deputetët e komunitetit turk.

Lajme

14/03/2019 09:23

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, sot është takuar me deputetët turq të Kuvendit të Kosovës, Müfera Şinik dhe Enis Kervan, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se ky takim është bërë me qëllim që në Delegacionin Shtetëror për Dialogun me Serbinë të përfshihen edhe komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Me qëllim që në Delegacionin Shtetëror për Dialogun me Serbinë të përfshihen edhe komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, këtë mëngjes bashkëbisedova me deputeten e komunitetit turk, Müfera Şinik dhe Enis Kervan, ekspertiza e të cilit do të jetë e mirëseardhur në procesin e dialogut të Brukselit.

Komunitetet joshumicë përfshirë edhe turqit janë pjesë e pandashme e realitetit të Republikës së Kosovës duke u dhënë mbështetje të gjitha proceseve të shtetndërtimit.

Fuqizimi i turqve të Kosovës në kontekst të dialogut me Serbinë ndikon në forcimin e pozicionit të vendit tonë si shoqëri e vlerave, siç janë shumëetniciteti dhe diversiteti kulturor. /Lajmi.net/