Haradinaj reagon i frustruar pas raportimit të lajmi.net se ai figuron si uzurpues i një prone në Prishtinë

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj ka zgjedhur të reagojë në formën më të papranueshme të mundshme ndaj raportimit të lajmi.net që tregon se si komuna e Prishtinës po pretendon se ai po e mbanë të uzurpuar një pronë në kryeqytet.

Lajme

10/08/2021 19:49

Haradinaj ka zgjedhur që mllefin e tij ta shfryejë duke e quajtur “portal partiak” lajmi.net, mirëpo pa dhënë asnjë argument në lidhje me këtë.

“Një portal partiak paska deklaruar se jam uzurpator i tokës komunale! Këtë gjë e kam sqaruar shumë herë por më duhet ta them prapë se ajo pronë nuk është e uzurpuar e as e rrethuar”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj është lëshuar në të tilla deklarata, pavarësisht faktit se ai ka qenë  i intervistuar nga lajmi.net edhe pasi që ai kishte zyrtarizuar kandidaturën e tij për Prishtinën. Gjithashtu, deklaratave nga kjo intervistë u është dhënë hapësirë e madhe në lajmi.net.

Sidoqoftë, as Haradinaj nuk e ka mohuar vërtetësinë e raportimit në fjalë, pavarësisht se në fillim të statusit të tij është lëshuar në cilësime të tilla duke aluduar në shpifje.

Ai ka thënë se i ka shkruar komunës së Prishtinës që t’i pastrojë listat ku figuron emri i tij.

Haradinaj pretendon se kjo pronë që 70 vite nuk shfrytëzohet as nga ai as nga të tjerët.

Lajmi.net raportoi më herët se ka disa vite që Komuna e Prishtinës e ka hartuar Projektin për evidentimin e pronave komunale.

Ky dokument është i publikuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës.

Aty shkruan se Daut Haradinaj po e mban tokën komunale në hapësirë prej 550 metra katrorë, pa pasur asnjë marrëveshje me Komunën e Prishtinës.

Numri i ngastrës kadastrale të parcelës në lagjen “Arbëria” është 4382-0.

Nuk është caktuar viti ose data se kur kjo tokë është uzurpuar, por evidentimi i pronave të paraqitura aty është thënë se është bërë në dhjetor të vitit 2014. Ndërkohë, sipas të dhënave të Komunës, toka figuron akoma aty në emrin e Daut Hardinajt, duke u shfrytëzuar pa një kontratë me Komunën.

Lexo edhe:

Pretendenti për kryetar të kryeqytetit ende figuron si uzurpues i një prone në Prishtinë

Ndërkaq më poshtë është i plotë reagimi i Daut Haradinajt, pa ndërhyrje:

Fatkeqësisht portalet e partive shpifin për të më dëmtuar pa bazë e me tendencë!
Një portal partiak paska deklaruar se jam uzurpator i tokës komunale! Këtë gjë e kam sqaruar shumë herë por më duhet ta them prapë se ajo pronë nuk është e uzurpuar e as e rrethuar. Për më shumë, i kam shkruar zyrtarisht Komunës së Prishtinës që t’i pastrojnë listat e ta shfrytëzojnë atë pronë për të mirën publike. Kjo pronë për më shumë se 70 vite nuk shfrytëzohet as nga unë e as nga të tjerët.
Frika dhe panika e fitores sime drithëron në venat e uzurpatorëve.
Fjalën e keni nga unë se do të jem i pakompromis për ata që thyejnë ligjin.
Këtij portali partiak i dëshiroj suksese, e listës sime fituese i them PUNA MARË na qoftë!. /Lajmi.net/