Haradinaj: Qeveria e fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për bizneset e Mitrovicës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve të Komunës së Mitrovicës.

Lajme

28/02/2019 15:47

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve të Komunës së Mitrovicës, nga të cilët është njoftuar me kërkesat e parashtruara nga ata, si përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, tuneli në Mitrovicë, dhe disa rrugë të tjera, regjistrimi i Trepçës Sh.A., dhe çështje të tjera që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve të tyre, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Haradinaj tha se nga takimi i fundit që ka pasur me këto biznese, është theksuar mundësia se çfarë mund të ndërmarrë Qeveria e vendit për bizneset e Mitrovicës dhe mundësinë që institucionet e Kosovës të krijojnë fond të posaçëm ose të ndajnë fonde shtesë për zhvillimin e Mitrovicës për shkak të specifikave që ka.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria është fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për bizneset, përmes krijimit të infrastrukturës, granteve për bizneset vendore, si dhe krijimin e një fondi të posaçëm për Mitrovicën.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, lidhur me rrugën Prishtinë-Mitrovicë tha se vitin e kaluar kanë kryer të gjitha obligimet, duke filluar me segmentin e parë dhe është nënshkruar edhe segmenti i dytë me kompaninë fituese, duke mbetur kështu edhe një segment tjetër, për të përmbushur të gjitha obligimet.

Ministri Lekaj tha se edhe sa i përket tunelit, ka pasur vështirësi, por tani puna ka filluar dhe do të përfundojë brenda njëzet ditëve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka sqaruar lidhur me procedurat që janë duke u zhvilluar për regjistrimin e kompanisë Trepça Sh.A., si dhe për kontraktimin e një kompanie e cila do të bëjë riverifikimin e rezervave të Trepçës.

Përfaqësues të bizneseve para kryeministrit Haradinaj dhe ministrave përkatës parashtruan kërkesat e tyre për mundësinë e krijimit të një fondi të veçantë për zhvillimin e bizneseve në komunën e tyre, për përfundimin më të shpejt të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, por edhe rrugët rajonale dhe për çështje të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryeministri Haradinaj gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të bizneseve nga Komuna e Mitrovicës, tha se Qeveria e Kosovës do ta ketë vëmendjen e duhur për sipërmarrësit mitrovicas. /Lajmi.net/