Haradinaj: Procesi zgjedhor po shkon mirë në gjithë vendin, dalja është e kënaqshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj ka deklaruar se procesi zgjedhor po zhvillohet mirë në gjithë vendin dhe se dalja e qytetarëve në votime është e kënaqshme. Ai ka theksuar se deri në orën 15:00 mbi 500 mijë qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës, ndërsa kanë mbetur edhe më pak se…

Lajme

28/12/2025 16:40

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj ka deklaruar se procesi zgjedhor po zhvillohet mirë në gjithë vendin dhe se dalja e qytetarëve në votime është e kënaqshme.

Ai ka theksuar se deri në orën 15:00 mbi 500 mijë qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës, ndërsa kanë mbetur edhe më pak se tri orë deri në mbylljen e vendvotimeve.

Haradinaj ka ftuar të gjithë qytetarët që ende nuk kanë votuar ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, duke bërë thirrje të veçantë për mërgimtarët dhe gratë votuese që të dalin në votime, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.

Megjithatë, Haradinaj ka shprehur shqetësim lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike, veçanërisht me afrimin e mbrëmjes, duke u bërë thirrje KEDS-it dhe institucioneve përkatëse që të kenë kujdes dhe të mos ketë ndërprerje të rrymës.

“Procesi zgjedhor po shkon mirë në gjithë vendin, dalja është e kënaqshme. Deri në ora 15:00 kemi mbi 500 mijë qytetarë që kanë votuar. Kanë mbet më pak se tre orë, po ashtu kam kënaqësinë të ju ftoj të gjithëve të shfrytëzoni të drejtën e votës, ju që nuk keni votuar, të gjithë qytetarët e vendit, vëllezër e mora që keni ardhur nga mërgimi, dhe juve votuese zonja, veçanërisht për votuesit e kam një ftesë që të dalin të votojnë, të përfaqësoni veten tek kutia e votimit, që zëri juaj të dëgjohet. Nuk jemi ndonjë parregullsi, jemi te kënaqur me daljen. E di që ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, gjë që na shqetëson nëse ndërprerjet ndodhin, tani kur errësohet. Bëj thirrje KEDS, dhe gjithë institucioneve të bëjnë kujdes që të mos ndërpritet energjia elektrike. I uroj Kosovës këto zgjedhje kaq të mira”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 15:00 kanë votuar 573,694 votues apo 28.70 nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues.

Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 91% e vendvotimeve, kishin votuar 28.32% apo 558,246 votues.