Haradinaj përmend propozimet që do t’i ofrojë presidentes Osmani
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka mbrojtur qëndrimin e tij për krijimin e një qeverie nga partitë që deri më tash ishin në opozitë. Megjithatë thekson se mund të shqyrtojnë edhe një qeveri tranzicionale të propozuar në këtë rast nga LDK-ja. Ish-kryeministri Haradinaj ka folur edhe për takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.…

Lajme
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka mbrojtur qëndrimin e tij për krijimin e një qeverie nga partitë që deri më tash ishin në opozitë. Megjithatë thekson se mund të shqyrtojnë edhe një qeveri tranzicionale të propozuar në këtë rast nga LDK-ja.
Ish-kryeministri Haradinaj ka folur edhe për takimin konsultativ të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.
“Mirë është që po ndodh një komunikim i tillë i parë lidhur me gjendjen e krijuar. Ne do të japim ide se si mundemi me dalë nga kjo gjendje. Ne angazhohemi për qeverinë e opozitës, por nëse gjendet një zgjidhje për qeveri kalimtare, sikurse ekziston një propozim, edhe atë e kishim shqyrtuar, pra nuk jemi që të mbetet gjendja e bllokuar-pafund. Ne ju kemi drejtuar edhe Kushtetueses bashkë me PDK-LDK dhe kemi kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të deritashëm në kuvend. Ekziston edhe një bazë e mirë që Gjykata Kushtetuese, jo vetëm të zgjidhë ngërçin tash, por edhe ta krijon një normë ku do të ishte zgjidhje e përhershme, që mos ta arrijmë më në situata çfarë jemi tash”, tha ai.
Sa i përket takimit të thirrur nga presidentja Osmani ku mund të jetë i pranishëm edhe kryetari LVV-së, Albin Kurti, Haradinaj tha se nuk ka “ndonjë vërejtje”, pasi që sipas tij, takimi është me presidenten.
“Ju kam përgjigjur ftesës së presidentes, takimi është me presidenten në këtë rast. Unë nuk e vendosi kush duhet me qenë në tavolinë, nuk kam ndonjë vërejtje, këndo që e ka ftuar presidentja. Qëndrimet, synimet i dini, nuk ndryshoj”, theksoi Haradinaj.
Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim konsultues të gjitha partitë politike nga ora 13:00.
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet edhe pas një muaji – në përpjekjen e 16-të. Lëvizja Vetëvendosje sërish tentoi të formojë Komisionin për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, por nuk u përkrah nga partitë tjera politike.
Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 17 maj në orën 10:30.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sërish ftoi partitë politike për të propozuar emrat e kandidatëve për Komisionin Ad-hoc për votim të fshehtë, por kësaj thirrje nuk iu përgjigjen pozitivisht partitë e tjera.
Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 55 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim..