Haradinaj përkujton Betejën e Morinës: Rënia e dëshmorëve u bë frymëzim për mijëra luftëtarë të UÇK-së
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Betejës së Morinës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj bëri të ditur se, së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, ka bërë…
Lajme
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Betejës së Morinës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj bëri të ditur se, së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, ka bërë homazhe dhe ka nderuar kujtimin e luftëtarëve të rënë në betejën e 7 korrikut 1998.
Ai kujtoi dëshmorët Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli, ndërsa në përvjetorin e rënies nderoi edhe dëshmorin Agim Mazrekaj.
Haradinaj vlerësoi se rënia e tyre ishte një humbje e rëndë për luftën, por njëkohësisht u shndërrua në frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë. Nderim i përjetshëm për luftëtarët e lirisë”, ka shkruar Haradinaj. /Lajmi.net/