Haradinaj për protestën në Hagë: Personalisht nuk mundem të marr pjesë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk mund të merr pjesë në protestën e 14 shtatorit në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I pyetur nëse do të merr pjesë në këtë tubim, Haradinaj theksoi se megjithëse personalisht nuk do të jetë i pranishëm, protesta ka…

Lajme

11/09/2025 08:37

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk mund të merr pjesë në protestën e 14 shtatorit në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pyetur nëse do të merr pjesë në këtë tubim, Haradinaj theksoi se megjithëse personalisht nuk do të jetë i pranishëm, protesta ka përkrahjen e tij dhe të shumë pjesëtarëve të diasporës shqiptare.

Ai shtoi se kjo protestë është një porosi e fuqishme se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, çlirimtare dhe mbetet e tillë.

Haradinaj ftoi qytetarët që të marrin pjesë e ta japin mesazhin se lufta për liri ishte e drejtë.

“Personalisht s’mund të marr pjesë, por siç e dini ne e gëzojmë një respekt me autoritet për një pjesë të diasporës jo veç tash këtyre, por edhe të hershmëve të patriotëve shqiptarë, gjithë atyre që janë liridashës. E mbështesin protestën edhe si porosi se lufta jonë ishte e drejtë, ishte çlirimtare dhe mbetet e tillë. I ftoj të gjithë, kush të mundet që me prezencën e tyre ta japin një porosi të fuqishme se lufta për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare”, tha Haradinaj.

Këtë deklarim, Haradinaj e bëri pas homazheve në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.