Haradinaj për Limajn: E shkuar e harruar

Fatmir Limaj është “e shkuar e harruar” për Ramush Haradinajn. Kështu deklaroi kreu i AAK-së pas seancës së sotme në Kuvend, kur u pyet nga gazetarët se a është emri i kreut të Nismës unifikues për t’u votuar si kryetar parlamenti. “Nuk kam koment. Edhe në një prononcim për media kam thënë: e shkuar e…

Lajme

31/05/2025 11:22

Fatmir Limaj është “e shkuar e harruar” për Ramush Haradinajn.

Kështu deklaroi kreu i AAK-së pas seancës së sotme në Kuvend, kur u pyet nga gazetarët se a është emri i kreut të Nismës unifikues për t’u votuar si kryetar parlamenti.

“Nuk kam koment. Edhe në një prononcim për media kam thënë: e shkuar e harruar. Gati se nuk ekziston emri i tij as për diskutime as për tema të tilla”, tha Haradinaj.

Ai dhe Limaj ndanë rrugët për shkak se kreu i Nismës u tregua i gatshëm të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit – gjë të cilën Haradinaj e kundërshton kategorikisht.

Për ngërçin politik, Haradinaj tha se votojnë nëse propozohet një kandidat unifikues.

“Ndryshe nuk po dimë çka me bo për besë”.

“ Por, kemi përmend tre emra. Nëse njëri prej tyre kandidohet, e votojmë”, tha ai.

Haradinaj foli edhe për situatën me liberalizimin e tregut energjetik.

“Shqetësim serioz, jo veç për faktin që fillojnë tarifat e reja të energjisë. Nuk është vetëm keqpërdorim i një situate kjo, por janë të rrezikuar shumë vende të punës në prodhim. Pra, një rënie e madhe e prodhimtarisë edhe punës në prodhim, paraja do të eksportohet, pasojat do të jenë shumë më të mëdha në vend. Kjo është një temë, por ka shumë të tilla”, tha ai.

Këto deklarata Haradinaj i bëri pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit.