Haradinaj për emërimet e Kurtit: E pahijshme dhe e panevojshme
Emërimi i tre zëvendësministrave nga kryeministri në detyrë i vendit Albin Kurti po cilësohet si e pahijshme dhe e panevojshme nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Me ligj nuk e di që është keq por e pahijshme, e panevojshme realisht…Nuk e shoh pse duhet me ndodh në këtë kohë dhe në këtë mënyrë tani. Besoj…
Lajme
Emërimi i tre zëvendësministrave nga kryeministri në detyrë i vendit Albin Kurti po cilësohet si e pahijshme dhe e panevojshme nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Me ligj nuk e di që është keq por e pahijshme, e panevojshme realisht…Nuk e shoh pse duhet me ndodh në këtë kohë dhe në këtë mënyrë tani. Besoj që më mirë është me u angazhu me i kry puntë Qeveria, ato punë që duhet me u kry. Këto emërime tash nuk e kanë një shije të mirë, kur janë në fushatë nuk duhet të bëhen”, tha Haradinaj.
Albin Kurti të premten emëroi tre zëvendësministra: Ali Dulën si zëvendësministër në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Agon Batushën në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Hysni Mehanajn në Ministrinë e Financave.
Derisa e vlerësoi si sjellje jo të mirë të Kurtit, Haradinaj foli edhe për përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit.
“Ne punojmë në vazhdimësi, i kryejmë puntë tona, i kemi qëndruar afër strukturave, votuesve dhe jemi të gatshëm. Listës sonë i prin Ardian Gjini, është mandatar për kryetar qeverie. Një njeri me ekselancë në politikë, një shembull për politike, tashmë ish-kryetar i Gjakovës”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa, për komentet e tilla si “luftë me pragun”, Haradinaj cilësoi se po bëjnë luftë për disa tema shumë të rëndësishme për Kosovën.
“E pash një prononcim të Vuçiqit, thojke ‘Kemi me luftu mos me lonë Kosovën me hy në NATO”, ne në fakt nuk kemi bërë luftë me prag. Ne bëjmë luftë për disa tema shumë të rëndësishme për vendin tonë, me qëllim e përmenda rezolutën e tre kongresmenëve. Është më se e ditur tash ajo pjesë e angazhimit tim, edhe është në atë planin tonë edhe pse ngadalë se nuk kam qenë në detyrë, por po punojmë që Kosova të hyjë në NATO”, theksoi ai.
Më tej, ai potencoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./kp