Haradinaj: Më mirë të shkojmë në zgjedhje, nuk është mirë me vonua pa kufi Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nëse nuk ndryshon situata për konstituimin e Kuvendit, “më mirë është të shkohet në zgjedhje”. Pas dështimit të 12-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se kurdo që do të ketë një ftesë për takim me partitë opozitare do të jetë i…

Lajme

07/05/2025 11:39

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nëse nuk ndryshon situata për konstituimin e Kuvendit, “më mirë është të shkohet në zgjedhje”.

Pas dështimit të 12-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se kurdo që do të ketë një ftesë për takim me partitë opozitare do të jetë i pranishëm.

“Nëse vërtet është kështu më mirë të shkojmë në zgjedhje besoni, nuk është mirë me vonua në pakufi Kosovën”, tha ai.

I pari i AAK-së ka përsëritur qëndrimin se AAK-ja është pro një qeverie të opozitës.

“Vazhdimisht diskutojmë me kryetarin Abdixhiku edhe për konstituimin e Kuvendit, për ngërçin, biseduam edhe për propozimin për konsulta është ide e mirë me pas konstulta, kuptohet kemi disa ndryshime, dallime në qëndrim por, nuk bënë me i mbyll dyert prej iniciative. Çdo iniciativë e ka dobinë e vetë ne mbesim në qëndrimin që ta ndihmojmë unë dhe Aleanca ta ndihmojmë qeverinë e opozitës ky është opsioni ynë, por jemi të hapur për konsulta”, tha ai.

I pyetur se a është I pajtimit që kryetari i Nismës, Fatmir Limaj të jetë pjesë e këtyre takimeve, Haradinaj tha se kjo është çështje e atyre që ftojnë takimet.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026.

Deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin e Kosovës edhe në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.