Haradinaj nderon me homazhe martirët e Krushës: Masakrat anembanë Kosovës janë dëshmi e sakrificës së popullit tonë për liri

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrat e marsit 1999 në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe Suharekë, duke theksuar se këto krime të tmerrshme janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë. “Ato ditë marsi, regjimi gjenocidal kreu një nga krimet më monstruoze dhe të planifikuara, duke ekzekutuar pa mëshirë 350 gra,…

Lajme

26/03/2025 13:37

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot masakrat e marsit 1999 në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe Suharekë, duke theksuar se këto krime të tmerrshme janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë.

“Ato ditë marsi, regjimi gjenocidal kreu një nga krimet më monstruoze dhe të planifikuara, duke ekzekutuar pa mëshirë 350 gra, pleq, fëmijë dhe të rinj të pafajshëm,” shkruan Haradinaj, duke ndarë dhimbjen me familjarët që humbën më të dashurit e tyre.

Ai ka kujtuar me dhembje dhe nderim edhe 49 martirët e familjes Berisha nga Suhareka, të cilët u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe, si dhe 23 viktimat nga Landovica e Prizrenit dhe fshatrat përreth.

“Fëmijë e të moshuar u ekzekutuan pamëshirshëm, vetëm pse ishin shqiptarë, në tokën dhe në të drejtën e tyre. Masakrat anembanë Kosovës janë dëshmi e sakrificës së popullit tonë për liri. Ne nuk harrojmë dhe nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për këto krime!” përfundon Haradinaj.