Haradinaj mirëpret delegacionin amerikan në Gllogjan: Serwer dhe Marquez nderohen me medalje

Ramush Haradinaj nga Aleanca, ka bërë të ditur se ka pritur në Gllogjan një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj njoftoi se delegacioni përbëhej nga profesorët Daniel Serwer dhe Edward Joseph, Mario Marquez, Ramiz…

Lajme

01/07/2026 18:59

Ramush Haradinaj nga Aleanca, ka bërë të ditur se ka pritur në Gllogjan një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj njoftoi se delegacioni përbëhej nga profesorët Daniel Serwer dhe Edward Joseph, Mario Marquez, Ramiz Tafilaj, si dhe shqiptaro-amerikanë të tjerë.

Me këtë rast, Haradinaj nderoi Daniel Serwerin dhe Mario Marquezin me medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e tyre ndaj Kosovës.

Ai tha se angazhimi i tyre për Kosovën mbetet me rëndësi për rrugën e vendit drejt rikthimit të partneritetit strategjik me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Angazhimi i tyre ndaj Kosovës është shumë me vlerë për rrugën dhe përcaktimet drejt rikthimit në partneritetin strategjik me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, medalja iu është dedikuar Serwerit dhe Marquezit si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në etapa të ndryshme. /Lajmi.net/