Haradinaj mesazh VV-së dhe Kurtit: Nuk zbrapsemi, anipse ofendojnë e shpikin propagandë me synim me shkatërru gjithçka në kujtesë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të fortë politik përmes një postimi, ku ka kritikuar qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti. Haradinaj u shpreh se besimin për të ardhmen nuk e ka humbur kurrë, duke kujtuar përvojat e luftës dhe mbështetjen e bashkëluftëtarëve, familjeve dhe aleatëve…

Lajme

11/12/2025 20:27

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të fortë politik përmes një postimi, ku ka kritikuar qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.

Haradinaj u shpreh se besimin për të ardhmen nuk e ka humbur kurrë, duke kujtuar përvojat e luftës dhe mbështetjen e bashkëluftëtarëve, familjeve dhe aleatëve ndërkombëtarë, transmeton lajmi.net.

Ai akuzoi qeverinë aktuale për “propagandë” dhe “keqpërdorim ekstrem të pushtetit”, ndërsa theksoi se kauza e tyre gjithmonë ka qenë e lidhur me lirinë e fjalës dhe vlerat demokratike.

Sipas tij, pushteti aktual po tenton të shkatërrojë kujtesën dhe rrugëtimin e vendit.

Haradinaj deklaroi se ndryshimi do të vijë përmes votës së qytetarëve, duke premtuar rikthimin e miqve ndërkombëtarë dhe shpresës për zhvillim.

“Ditët e mira do të agojnë”, theksoi ai, duke shtuar se nëpërmjet demokracisë do të “rrënohet shembulli i keq” i qeverisjes aktuale.

Postimi i plotë: 

Ditët e mira do të agojnë.
Kurrë se kam humbë besimin, e nuk jam dorëzu edhe në ditët më të rënda me bashkëluftëtarët.
Na kanë dhënë zemër, forcë e besim, familjet e tyre, populli që ishte me ne, kudo në frontet e luftës dikur.
Na inkurajonin miqtë ndërkombëtarë, edhe në temat më të vështira kur po i krijonim themelet e shtetit të Kosovës.
Nuk e humbim kurrë besimin, sepse të sinqertë e kemi angazhimin.
Nuk zbrapsemi, anipse ofendojnë e shpikin propagandë me synim me shkatërru gjithçka në kujtesë.
Ne luftuam për lirinë e fjalës, që operon në kritikë, këshillë e protestë. Mirëpo e keqperdorën deri në ekstrem rrugëtimin për një pushtet i cili po i dalldisë deri në çmenduri.
Por, ne do ta rrënojmë këtë shembull të keq. Me rrugën e demokracisë, me votën e popullit e cila e rikthen besimin tek zhvillimi.
Do të bëhemi krah njëri tjetrit.
Do t’ia kthejmë Kosovës miqtë.
Do ta rikthejmë shpresën për zhvillim./lajmi.net/