Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovësdhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për gjendjen e lirisë së shtypit në vend, duke theksuar se ajo është një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe nuk duhet të cenohen nga pushteti.
Në një deklaratë publike, Haradinaj u shpreh se liria e medias nuk është privilegj i gazetarëve, por “themel i demokracisë”, që sipas tij mban pushtetin përgjegjës dhe i shërben qytetarit duke pasqyruar të vërtetën, edhe kur ajo është e pakëndshme, transmeton lajmi.net.
Ai vlerësoi rolin e gazetarëve, kameramanëve dhe ekipeve teknike, duke theksuar se pas çdo lajmi që publikohet qëndron një punë e gjatë dhe shpesh e vështirë në terren.
Duke iu referuar klimës aktuale politike, Haradinaj kritikoi gjuhën që përdoret ndaj mediave nga maja e pushtetit, duke thënë se ofendimet dhe sulmet nuk i shërbejnë demokracisë dhe besimit të qytetarëve. Sipas tij, kritika ndaj mediave është e pranueshme vetëm kur është e bazuar në argumente dhe jo në denigrim.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se sulmet ndaj mediave përbëjnë, sipas tij, cenim të një prej shtyllave kryesore të shtetit demokratik.
“Unë besoj në një qasje të hapur dhe të ndershme me mediat. Nuk duhet të ketë mbyllje dyersh, shmangie nga pyetjet apo gjuhë përçmuese,” tha Haradinaj, duke shtuar se përgjegjësia e politikanëve është të japin përgjigje, jo të zgjedhin pyetjet.
Ai përfundoi deklaratën duke theksuar se një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë, dhe se mbështet një Kosovë ku, siç u shpreh, “zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë”.
Postimi i plotë:
Liria e shtypit, hapësira që pushteti i Kurtit planifikon ta ngulfas.
Sot, kemi shumë pak gazeta të shtypura. Koha që na mungon na shfaqet në kujtesë si respekt.
Shkrimet dhe opinionet, sidoqoftë, sot janë prezente në një platformë tjetër, pra elektronike.
Dhe padyshim, ne duhet ta mbrojmë si dje, sot dhe të nesërmen, si kauzë edhe më tutje.
Liria e shtypit nuk është privilegj i mediave, por është themel i demokracisë. Ajo është zëri që mban përgjegjës pushtetin, pasqyra që i tregon shoqërisë të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë për t’u dëgjuar.
Një shtet që respekton median, respekton qytetarin e vet.
Respekti ndaj gazetarit nuk duhet të jetë selektiv, as i kushtëzuar nga pyetjet që bën apo temat që trajton. Gazetari nuk është kundërshtar, por partner në ndërtimin e një shoqërie transparente.
Nga reportazhet dhe hulumtimet në terren, te dokumentarët që sjellin histori të pathëna, nga kronikat e përditshme deri te hulumtimet që kërkojnë muaj pune e përkushtim, pra secili kontribut i tyre është shërbim publik.
Pas çdo lajmi që lexojmë apo shohim, qëndron një ekip njerëzish që shpesh punojnë në kushte të vështira, me orare të gjata dhe me përgjegjësi të madhe.
Një vlerësim i veçantë u takon edhe kameramanëve dhe ekipeve teknike, ata që janë gjithmonë në vijën e parë, në shi, në të ftohtë, në ngjarje të papritura, duke dokumentuar realitetin ashtu siç është. Pa ta, e vërteta shpesh do të mbetej e padukshme.
Për fat të keq, sot kemi krijuar një klimë ku nga maja e pushtetit shpesh dëgjojmë gjuhë ofenduese ndaj mediave. Kjo nuk i shërben as demokracisë, as besimit të qytetarëve. Kritika ndaj mediave është e drejtë, por ajo duhet të jetë argumentuese, jo denigruese.
Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq.
Unë besoj në një qasje tjetër.
Në një raport të hapur, korrekt dhe të ndershëm me mediat. Nuk do të ketë mbyllje dyersh, nuk do të ketë shmangie nga pyetjet dhe, mbi të gjitha, nuk do të ketë gjuhë përçmuese. Sepse përgjegjësia jonë nuk është të zgjedhim pyetjet, por të japim përgjigje.
Media duhet të jetë e lirë, e pavarur dhe e mbrojtur. Gazetarët duhet të ndihen të sigurt në punën e tyre, të mbështetur në misionin e tyre. Dhe ne, si përfaqësues politikë, duhet të jemi garantues të këtij mjedisi.
Unë jam në krah të tyre, jo për t’i përdorur, por për t’i respektuar. Jo për t’i heshtur, por për t’i dëgjuar.
Sepse një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë. Dhe unë besoj në një Kosovë ku zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë./lajmi.net/