Haradinaj: Kurti në pozicionin e njëjtë me Dodikun dhe Vuçiqin sa i përket angazhimit për anëtarësim në NATO

Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurti, duke thënë po bën hapa prapa në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. ”Krijimi i ushtrisë në vitin 2018 ka qenë puna e parë bazë për me vazhdu me hy në NATO, pastaj ka ekzistu plani…

Lajme

12/01/2025 21:08

Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurti, duke thënë po bën hapa prapa në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

”Krijimi i ushtrisë në vitin 2018 ka qenë puna e parë bazë për me vazhdu me hy në NATO, pastaj ka ekzistu plani 10 vjeçar përmes së cilit ne kemi pasur dinamikat e ecjes përpara, por edhe mundësitë, me ardhjen e Kurtit në Qeveri ka fillu një regres, pra një kthim prapa”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Haradinaj tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në pozicion të njëjtë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sa i përket angazhimit për anëtarësim në Paktin Veri-Atlantik.

”Kurti është në pozicionin e njëjtë me Dodikun dhe Vuçiqin sa i përket angazhimit të qeverive të këtyre vendeve rreth NATO-s. Vuçiq dhe Dodik bëjnë obstruksione, për shembull Dodik bën obstruksione mos me hy Bosnja në NATO, Vuçiq bën obstruksione të ndryshme që të mbesë Serbia jashtë ndikimit amerikan dhe të NATO-s, për fat të keq edhe Kurti ka shku kësaj rruge, amerikanët e kanë ofru Kurtit një menaxhim të gjendjes së përbashkët në veri, në shkëmbim të ecjes përpara si sukses në dialog dhe ecjes përpara drejt NATO-s, Kurti i ka bërë obstruksion kësaj strategjie duke i nxjerrë në pritë, duke bërë pabesi, përkundër që ata e kanë informu për planin e përbashkët ky ka bërë veprime të fshehta, e të pabesa dhe ka krijuar mosbesim në mekanizmat e sigurisë së aleatëve tanë veçanërisht të Amerikës dhe kësisoj na ka bërë refuzues dhe obstruksionistë të NATO-s”, tha Haradinaj.