Haradinaj: Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit të bujqësisë

Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor dhe AAK është e përkushtuar që t’i mbështesë këto veprimtari, thotë Ramush Haradinaj.

Lajme

03/05/2014 15:18

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor.

Ai gjatë një vizite në serrën moderne të perimeve në fshatin Nëpërbisht të Suharekës, në kuadër të shpalosjes së platformës partiake “Drejtim i Ri”, tha se është përkushtimi i vazhdueshëm i AAK-së që t’i mbështesim këto veprimtari dhe bujqësinë në përgjithësi.

“Kosova ka mundësi të mëdha të zhvillimit në sektorin bujqësor. Kushtet e favorshme klimatike, tokësore, karakteristikat e mira natyrore dhe burimet ujore mundësojnë zhvillim të bujqësisë, agrobiznesit dhe industrisë së përpunimit të ushqimit”.

“Puna dhe angazhimi ynë në platformën Drejtim i Ri, do të ndikojë në rritjen e produktivitetit e të cilësisë së produkteve bujqësore dhe do t’i bëjnë fermerët tanë konkurrentë në tregun rajonal dhe më gjerë. Ky është përkushtimi ynë i vazhdueshëm”.

Kreu i AAK-ës u prit nga familja Kryeziu e Therandës, që posedon këtë serrë, me të cilët bashkëbisedoi dhe u informua nga afër për mbarëvajtjen e punëve dhe mundësitë e mbështetjes dhe zhvillimit të mëtejmë të kësaj veprimtari.