Haradinaj komenton porosinë e Grenell: Kurti, mashtruesi nuk është për anëtarësim në NATO

Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kandidat për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratat e Richard Grenell, të dërguarit special të presidentit Donald Trump, për kryeministrin aktual, Albin Kurtin. Haradinaj kritikoi kryetarin e LVV-së se nuk është në rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por sipas tij “ky që po…

Lajme

03/02/2025 20:14

Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kandidat për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratat e Richard Grenell, të dërguarit special të presidentit Donald Trump, për kryeministrin aktual, Albin Kurtin.

Haradinaj kritikoi kryetarin e LVV-së se nuk është në rrugën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por sipas tij “ky që po shkon, mashtruesi, nuk është për këtë rrugë, por keqja e këtij vendi”.

Sipas Haradinaj, nuk është problem se çka ka thënë Grenelli, por të njëjtat fjalë iu janë thënë edhe nga presidenti Trump, se ‘Kurti është kundër Amerikës’.

Gjatë tubimit të mbajtur në Prizren, Haradinaj tha se është i vetmi që mund të anëtarësoj Kosovën në NATO në një kohë të shkurtër.

“Ne na duhet me përmbyllë çështjen e sigurisë në Kosovë. E mbyllim duke u anëtarësuar direkt në NATO dhe nuk ka dilemë, që askush në Kosovë, nuk është më mirë i pozicionuar, jo nga kandidatët për kryeministër, po si të doni merreni me e përfundua anëtarësimin e Kosovës direkt në NATO, menjëherë, jo afatgjate. Besa besa, nuk është dikush që mundet me u lidhë më shpejt me presidentit Trump, me administratën Trump, me lidh Kosovën jo veç me Amerikë, por me NATO. Ky që po shkon, mashtruesi, ky nuk është për këtë rrugë, nuk është për anëtarësim në NATO, ata e kanë cilësuar kundër tyre dhe është e keqja e këtij vendi. Unë iu kam thënë në disa mënyrë të buta, por ata po e thonë vet.. Nuk është problem çka na ka thënë Grenelli ne, por problem është që ia ka thënë presidentit të vet atë, se ai ashtu mendon dhe i ka thënë se ky është kundër nesh”, tha Haradinaj.

Haradinaj, shtoi se ka dëshmi se Kosova mundet të hyjë në NATO dhe se ka besimin e Trump.

“E kam dëshmi se mundemi me hyrë në NATO, se kam qenë aty kur është bë ushtria, pikërisht me administratën e presidentit Trump edhe atë praktikë do ta përdorim për të hyrë në NATO dhe nuk i ka pak ditë që jam kthyer nga Uashingtoni, e kam mbajtur derën çel, do ta mbajmë derën çel dhe e kam besimin”, shtoi ai.

Ndërsa, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj theksoi se Kosova kurrë nuk ka qenë më e izoluar sesa që është sot.

“Katër vite të humbura, katër vite Kosova është ndalur, ka stagnuar. Premtuan anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja, para katër viteve, Kosova kurrë nuk ka qenë më e izoluar sesa që është sot”, theksoi Limaj.

Ndërkaq, sot në rrjetin social X, i dërguari i presidentit Trump, Richard Grenell, tha se “retorika e Kurtit duke pretenduar se është afër SHBA-së, është plotësisht e rreme, mos u mashtroni”.