​Haradinaj komenton letrën që Kurti i ka dërguar Abdixhikut: Praktikë që është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, një gjë e tillë është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, por në rast të takimit, Haradinaj tha se duhet të dakordohen për kandidaturë unifikuese. “Besoj që është praktikë që është…

Lajme

05/05/2025 11:53

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, një gjë e tillë është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, por në rast të takimit, Haradinaj tha se duhet të dakordohen për kandidaturë unifikuese.

“Besoj që është praktikë që është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve me i jep ato opsione. Janë bërë 90 ditë prej zgjedhjeve, tre muaj, më 9 maj bëhen 90 ditë. Mirëpo, situata është kjo që është nuk besoj që ajo letër e ndryshon gjendjen. Kurti kish mundur të bëjë edhe veprime të tjera, në këtë rast nëse takohet me zotëri Abdixhikun me ra dakord për një kandidaturë unifikuese, ta kryejnë çështjen e kuvendit, konstituimin e kuvendit”, tha ai.

Kreu i AAK-së u pyet se a do të takohej me Kurtin në rast do të ftohej në takim.

“Për besë jam i zënë këto ditë, nuk mbërrij”, u shpreh ai.

Ai tha se kanë filluar konsulta të reja me partitë opozitare, për çka u shpreh se zgjidhja është një kandidaturë unifikuese.

“Nuk mund t’i komentoj ato letrat edhe ato që i kanë thënë, praktikë është që ai që i fiton zgjedhjet ose bënë më shumë vota bën konsulta me partitë tjera e kryesisht opsionet e ecjes së përpara. Sikurse dihet ka edhe konsulta mes opozitës, partitë opozitare i vazhdojnë. Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve e jo me prit 90 ditë, është situatë e rëndë në Kosovë. Ja për shembull ne po harrojmë tema tjera, si rritja e çmimit të energjisë është problem i madh për prodhuesit”, përfundoi Haradinaj.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës.