Haradinaj insiston, Isa Mustafa do të jetë Kryetar i Kuvendit

I nominuari për kryeministër nga blloku LDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, vazhdon të insistojë se Isa Mustafa do të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese, zgjedhjen e tij e kryetarit të LDK-së në krye të legjislativit më 17 korrik e shpalli jo kushtetuese. 

Lajme

22/08/2014 19:48

Haradinaj po beson se vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, do të ja njohë të drejtën koalicionit LDK-AAK-Nisma që të nominojë kandidatin për kryeparlamentar, nëse PDK dështon që t’i bëjë votat për kandidatin e saj. 

Ai në një intervistë për Express, ka thënë se, Isa Mustafa do të jetë Kryetar i Kuvendit, dhe i vjen keq që po zvarritet procesi, pasi procedurat sipas tij, do të jenë sërish të njëjta sikurse ato të 17 korrikut. 

“Ajo çka presim ne është se është e pamundshme t’i mohohet opozitës, tash shumicë politike LDK-AAK-NISMA dhe partnerëve, e drejta në kandidim. Dhe, ne presim që në këtë kandidim ta zbatojmë në seancën e ardhshme. Na vjen keq që duhet të përsëritet votimi dhe të gjitha ato aspekte, të cilat janë kaluar. Mirëpo, rezultati do të jetë i njëjtë, Kryetari Mustafa do të jetë Kryetar i Parlamentit”. 

“Në rast se të bllokimit dhe në rast se partia e parë që iu ka dhënë e drejta për të kandiduar nuk e zgjedh Kryetarin e Parlamentit, atëherë, nuk parashihen zgjedhjet nëse nuk zgjidhet Kryetari i Parlamentit, por grupet tjera parlamentare me siguri se do ta japin alternativën. Pra, do të gjendet një mënyrë e kandidimit. Kjo është qartësuar në Vendimin e Gjykatës dhe shumica politike të jep një zgjidhje dhe të formohen institucionet. Në këtë rast, ne në çdo variant e kemi zgjidhjen. Kemi shumicën politike për të qeverisur dhe mund të gjejmë zgjidhje kur dështon PDK, e cila ka mbetur e vetme pa asnjë partner politikë”, ka thënë Haradinaj.