​Haradinaj: Duhet t’iu kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet “t’i kthehet marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”. “Nuk guxojmë të humbim kohë, besoj shumë që do të ishte lajm I keq nëse nuk do ta ndërronim qeverinë Kurti, për shkak se dështoi të punojë me administratën Biden. Duhet t’i kthehemi marrëdhënieve bilaterale…

Lajme

23/01/2025 20:04

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet “t’i kthehet marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”.

“Nuk guxojmë të humbim kohë, besoj shumë që do të ishte lajm I keq nëse nuk do ta ndërronim qeverinë Kurti, për shkak se dështoi të punojë me administratën Biden. Duhet t’i kthehemi marrëdhënieve bilaterale me administratën Trump”, tha Haradinaj në një intervistë për Zërin e Amerikës, derisa po qëndron në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në inagurimin e presidentit Trump.

Haradinaj tha se Kosova nuk duhet të përfshihet në planet e reja siç tha ai për riorganizim të prezencës amerikanë.

“I kemi ofruar Amerikës përjetësisht lokacione, për përdorim ushtarak dhe civil, si Bondsteel dhe Film City, jemi të hapur për Aeroportin e Gjakovës, dhe Parku stërvitor në Babaj të bokës”, tha Haradinaj.

Në 20 janar, Donald Trump ka marrë zyrtarisht detyrën si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Qysh në ditën kur mori mandatin, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-ve për 90 ditë.

Të mërkurën më 22 janar, Presidenca e Kosovës tha se asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë tani për tani negativisht Kosovën.

Haradinaj kritikoi kryeministrin Albin Kurti i cili sipas tij ka dështuar të punojë me administratën e Joe Biden, e cila më 20 janar zyrtarisht e përfundoi mandatin.

Ndërkaq, duke folur për dialogun me Serbinë, Haradinaj tha se nëse e merr pushtetin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qysh në javën e parë do ta dërgonte draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“Do t’i kryejmë obligimet që dalin nga dialogu, përfshirë Asociacionin – ta dërgojmë që në javën e parë në Kushtetuese”, tha Haradinaj.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve që prej vitit 2011. Ky proces ka nxjerrë disa marrëveshje por pak prej tyre janë zbatuar.