Haradinaj bëhet gati për 100 ditshin e parë me 100 veprimet emergjente

Ramush Haradinaj, i propozuar nga “blloku opozitar” për kryeministër të Republikës së Kosovës, ka deklaruar të martën se grupet punuese të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës për Kosovën, janë duke punuar në përcaktimin e 100 veprimeve emergjente të qeverisjes në 100 ditshin e parë.

Lajme

01/07/2014 16:52

Lideri i AAK-së, Haradinaj, i cili e ka mbështetjen për kryeministër edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, nëse qeveria e udhëhequr prej tij do të pezullonte bisedimet me Serbinë, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se këto veprime do ta kthejnë njëherë e përgjithmonë besimin në shtet.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Së bashku me grupet punuese jemi në punë e sipër të përcaktimit të 100 veprimeve emergjente qeverisëse për 100 ditëshin e parë, si dhe 100 prioriteteve qeverisëse. Këto veprime do ta kthejnë njëherë e përgjithmonë besimin në shtet”.

Idetë dhe sugjerimet nga ana e juaj janë të mirëseardhura.

Komunikimi dhe pjesëmarrja e juaj na ndihmon për t’i kuptuar dhe renditur më mire këto veprime dhe prioritete.

Më shkruani në Facebook! RH”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar shumicën e votave me 37 mandate në Kuvend, por partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën formuan ‘bllokun opozitar’ për të mos bërë koalicion me PDK-në, gjë që e futi Kosovën në njëfarë krize politike.

Qëllimi i këtij blloku, i përkrahur nëse plotësohen kushtet e saj edhe nga Vetëvendosja, kishte si qëllim t’i pamundësohej PDK-së të siguroj 61 votat e nevojshme për votimin e qeverisë së re.

Po ashtu, ky bllok opozitar, duke llogaritur në votat e Vetëvendosjes, nëse plotësohen kërkesat e saj, ndër to edhe pezullimi i bisedimeve me Serbinë, nominoi për kryeministër liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Duke mos qenë e sigurt se si të veprojë pas certifikimit të rezultateve, presidentja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila ka bërë të njohur se ka marrë vërdiktin, dhe se publikimi i tij pritet të bëhet sot apo më së largu nesër.