Hapja e Gjykatës Administrative, Haxhiu thekson rëndësinë për drejtësinë dhe qytetarët

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykata Administrative e Kosovës, duke e cilësuar nisjen e funksionimit të saj si një hap të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend. Ajo theksoi se pesha e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin e saj formal, por në…

Lajme

05/05/2026 10:23

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykata Administrative e Kosovës, duke e cilësuar nisjen e funksionimit të saj si një hap të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në vend.

Ajo theksoi se pesha e kësaj gjykate nuk qëndron vetëm në themelimin e saj formal, por në ndikimin që do të ketë në përditshmërinë e qytetarëve dhe në rritjen e besimit ndaj institucioneve.

“Fillimi i punës së Gjykatës Administrative padyshim është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Më tej, Haxhiu theksoi se vendimet administrative kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe se krijimi i kësaj gjykate synon të garantojë një trajtim më të drejtë dhe më të shpejtë të rasteve.

“Kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur, shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë. Edhe sot në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje, reforma pra nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Sot me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjej dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme, e matur dhe e përgjegjshme”, tha Haxhiu.