Hapi i parë i SHBA-ve drejt sanksioneve ndaj Venezuelës

Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë Venezuelën në listën e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare gjatë së hënës, si dhe kanë vendosur sanksione ndaj shtatë prej zyrtarëve më të lartë të vendit të pasur me naftë, në atë që mund të konsiderohet si grindja më e keqe e diplomacisë bilaterale që kur presidenti socialist, Nicolas Maduro erdhi në pushtet në vitin 2013.

Bota

10/03/2015 22:56

Presidenti amerikan, Barack Obama nënshkroi dhe më pas lëshoi një urdhër ekzekutiv, të cilin zyrtarë të lartë të administratës thonë se nuk shënjestron sektorin energjetik të Venezuelës, apo ekonominë në tërësi. Por, lëvizja acaron tensionet mes Washingtonit dhe Caracasit, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet e SHBA-ve me Kubën, një armik për një kohë të gjatë i Amerikës në Amerikën Latine dhe aleat i ngushtë i Venezuelës, priten të normalizohen.

Presidenti venezuelas i denoncoi sanksionet si përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij. Në fund të fjalimit të stuhishëm që zgjati plot 2 orë, Maduro njoftoi se do të kërkonte fuqi të reja përmes një dekreti për t’u përballur me kërcënimin “imperialist”, si dhe e emëroi një prej zyrtarëve të sanksionuar si ministër të ri të Brendshëm.

Deklarimi i kujtdo prej vendeve si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare është hapi i parë i fillimit të programit të sanksioneve nga SHBA-të. Një proces i ngjashëm është ndjekur edhe me vende të tilla si Irani apo Siria, bëjnë të ditur zyrtarët amerikanë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se urdhri godet njerëzit, veprimet e të cilëve minojnë proceset demokratike apo institucionet demokratike, kanë kryer akte të dhunshme apo kanë abuzuar me të drejtat e njeriut, janë përfshirë në ndalimin apo ndëshkimin e lirisë së shprehjes, ose kanë qenë zyrtarë qeverie të përfshirë në afera korrupsioni publik.

/ Top Channel/