​Hapet sezoni i gjuetisë, masa për mbrojtjen e faunës së egër dhe sigurinë publike

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë 2026–2027, duke filluar nga 25 tetori 2026, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe vlerësimin profesional të Departamentit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti. Sipas njoftimit, hapja e sezonit synon të mundësojë menaxhimin e kontrolluar të kafshëve të egra,…

Lajme

20/10/2026 11:31

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për hapjen e sezonit të gjuetisë 2026–2027, duke filluar nga 25 tetori 2026, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe vlerësimin profesional të Departamentit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti.

Sipas njoftimit, hapja e sezonit synon të mundësojë menaxhimin e kontrolluar të kafshëve të egra, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e interesit publik. Vendimi merr parasysh nevojën për ruajtjen e ekuilibrit natyror, mbrojtjen e habitateve, si dhe shqetësimet që lidhen me dëmet që kafshët e egra mund t’u shkaktojnë kulturave bujqësore dhe pronave të qytetarëve.

“Ministria thekson se mungesa e kontrollit mbi aktivitetet e gjuetisë mund të rrezikojë llojet e egra, të dëmtojë ekosistemet dhe të cenojë sigurinë e qytetarëve. Prandaj, hapja e sezonit shoqërohet me kushte dhe kufizime të përcaktuara ligjore, me qëllim parandalimin e gjuetisë së paligjshme dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të faunës”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit, aktivitetet e gjuetisë mund të organizohen vetëm nga menaxherët e vendgjuetive që kanë plane të miratuara dhjetëvjeçare dhe vjetore të menaxhimit. Gjuetia lejohet vetëm për llojet e caktuara të kafshëve dhe shpezëve të egra, në përputhje me kalendarin e gjuetisë dhe dispozitat për mbrojtjen e llojeve të egra.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet respektimit të kufizimeve ligjore, mbrojtjes së llojeve të mbrojtura, sigurisë gjatë përdorimit të armëve dhe përgjegjësisë së menaxherëve të vendgjuetive. Mbikëqyrja e zbatimit të vendimit do të bëhet nga strukturat përgjegjëse të Ministrisë- Departamentit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti dhe institucionet kompetente.

Ministria u bën thirrje të gjithë gjuetarëve dhe menaxherëve të vendgjuetive që të respektojnë rregullat dhe të bashkëpunojnë me organet mbikëqyrëse.