Hapet procesi për përditësimin e Qendrës së Votimit, KQZ njofton afatet dhe mënyrat e aplikimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 7 qershor 2026. Sipas njoftimit, kjo periudhë do të zgjasë 12 ditë, nga 6 maj deri më 17 maj 2026, gjatë…

Lajme

06/05/2026 15:13

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit, kjo periudhë do të zgjasë 12 ditë, nga 6 maj deri më 17 maj 2026, gjatë së cilës qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndryshojnë atë brenda komunës së tyre, duke e vendosur më afër vendbanimit, shkruan lajmi.net.

KQZ bën të ditur se shërbimi mund të kryhet përmes platformës elektronike https://qv.kqz-ks.org ose duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

Në njoftim theksohet se ndryshimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në tjetrën nuk mund të bëhet drejtpërdrejt nga KQZ, por lidhet me ndryshimin zyrtar të adresës së vendbanimit, i cili realizohet në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës E-Kosova.

KQZ sqaron gjithashtu se ndryshimet e bëra gjatë kësaj periudhe do të reflektohen në sistemin elektronik të votimit pas përfundimit të afatit të përcaktuar. /Lajmi.net/