Hapet Kufiri me Maqedoninë
Ndalesat mes Kosovës dhe Maqedonisë u hoqën në mesnatë. Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ishte aty për ta verifikuar zbatimin e heqjes së taksës për qytetarë. Ajo kaloi e para në vendkalimin kufitar Kosovë-Maqedoni.
Lajme
(E Plotësuar – 00:30)
Tashmë është bërë hapja e kufirit Kosovë-Maqedoni, ashtu siç ishte paralajmëruar, në mesnatë. Por, me një vonesë rreth 20 minuta.
Pikën kufitare së pari e ka kaluar Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.
Zhbllokimi në mesnatë
Kosova dhe Maqedonia, në mesnatë, u rikthehen raporteve normale. Të gjitha ndalesat tregtare dhe pengesat në qarkullimin e lirë do të kthehen si më parë.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në një komunikatë për media.
“Me anë të kësaj komunikate njoftojm të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ndalesat në mes të Kosovës dhe Maqedonisë hiqen sonte në mesnatë.”
“Nga mesnata, sonte, shfuqizohet vendimi për importin e mallrave nga Maqedonia si dhe hiqet taksa për individë dhe mjete transporti nga ana e Maqedonisë.”
“Qeveria Maqedone obligohet që deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi të largojë pengesat pas vendkalimit kufitar me Kosovën.”
“Institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara të ngrisin bashkëpunimin rajonal me të gjitha vendet e rajonit në bazë të respektit reciprok.”
“Shpresojmë fuqishëm që situatat e krijuara me Maqedoninë nuk do të përsëriten më, por jemi të sigurt se në cilindo rast, institucionet e Kosovës do ta kenë interes primar mbrojtjen e ekonomisë së vendit, lëvizjen e lirë të mallrave dhe qytetarëve, konform vlerave europiane dhe universale.”
Vetë Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, për ta verifikuar zbatimin e heqjes së taksës për qytetarë, do të jetë prezente në vendkalimin kufitar Kosovë-Maqedoni.