Hapet edicioni i katërt i Festivalit të Gjelbër

Sot në Prishtinë është hapur festivali dyditor, i cili ka për qëllim promovimin e bizneseve të gjelbra në Kosovë dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesimit për riciklim, energjinë e ripërtërirë dhe energjinë efiçiente.

ShowBiz

30/10/2019 15:08

Risi sivjet është përfshirja e sektorit të ndërtimit si konsumues të mëdhenj të të gjitha këtyre produkteve.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se sektori i prodhimit ka promovuar gjithmonë produktet Made in Kosova.

“Ne si sektor i prodhimit gjithmonë i kemi promovuar produktet Made in Kosova, por këto produkte duhet të jenë duke marrë parasysh edhe qëndrueshmërinë e ambientit dhe të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. E zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është kur ne e mbrojmë ambientin, investojmë në ambient, resurset të cilat i shfrytëzojmë mundohemi që sa me pak të kenë impakt në jetën dhe ambientin përreth. Dhe festivali i tillë është t’i mbledhim të gjitha këto raste vjetore që janë investime në këtë sektor dhe i prezantojmë në një panair si sot që e kemi”, tha Panxha.

Festivali i Gjelbër i këtij viti organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Në këtë panair janë pjesë prodhues të sektorëve të ndryshëm, instalues që importojnë produkte nga vende të tjera, por që qëllimin e kanë energji efiçiente dhe riciklimin, energjinë e ripërtërirë.

Kjo ngjarje siguron një platformë rrjeti për bizneset e gjelbra, agjencitë qeveritare, donatorët dhe palët e interesuara të energjisë së gjelbër për të shkëmbyer praktika të qëndrueshme për mjedisin dhe për t’i bashkuar lëvizjes globale drejt një ambienti më ekologjik.

Këtë vit, 46 kompani dhe organizata nga Kosova do të ekspozojnë produktet e tyre në Pavijonin e Gjelbër.