Hapen fushata “Ti je pjesë e atdheut – Regjistrohu edhe ti”

Ministria e Diasporës sot ka hapur fushatën për promovimin e regjistrit të Diasporës. Në hapje të kësaj fushate në Prishtinë përveç ministri Valon Murati, mori pjesë edhe presidentja e Atifete Jahjaga.

Lajme

21/06/2015 14:06

Në kuadër të kësaj fushate ‘Ti je pjesë e atdheut – Regjistrohu edhe ti’, për gjatë dy muajve do të prezantohen aktivitetet e kësaj fushate.

Ministri Murati tha se diaspora ka qenë dhe do të mbetet ndër shtyllat kryesore të mbijetesës politike.

Ai tha se procesi i regjistrit të diasporës nuk ka të bëjë vetëm me regjistrin demografik e të dhënat statistikore të cilat mungojnë.

“Këto të dhëna që do të dalin nga ky proces do të na ndihmojnë në krijimin e politikave më të favorshme shtetërore në të mirë të diasporës. Përmes këtij procesi, ne do të dimë sa është potenciali ynë jashtë territorit tonë dhe si rrjedhim ne do të mund të hartojmë politika më të sakta e më të drejta, si në fushën e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës, ashtu edhe të avancimit te të drejtave civile dhe politike të diasporës, si në vendin tonë ashtu edhe në vendet ku jetojnë, përmes inkuadrimit në jetën politike dhe publike”, tha ai.

Gjithashtu, sipas Muratit, këto të dhëna do të ndihmojnë për identifikimin e potencialit intelektual, profesional dhe financiar të diasporës, si vlerë e jashtëzakonshme e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit, për përfitim të dy anshëm.

O

Fushata për regjistrin e diasporës mbështetet nga projekti “Përfshirja e diasporës në zhvillim ekonomik”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës, e që zbatohet nga UNDP dhe IOM në Kosovë.

E thirrje bashkatdhetarëve që t’i bashkohen këtij procesi, iu bëri edhe përfaqësuesi rezident i UNDP-në në Kosovë Andrew Russell.

“UNDP së fundmi ka bërë një raport i cili i thekson anët pozitive të cilat migrimi mund t’i sjellë vendit këtu në Kosovë. Është diçka pozitive kur diaspora nuk investon vetëm për konsum por investon edhe për arsim, investon për hapjen e vendeve të punës dhe fusha tjera të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës. Unë ftoj të gjithë pjesëtarët e diasporës kudo që janë ,që ata të marrin pjesë këtu në Kosovë, në procesin e regjistrimit, në vendin e tyre”, tha ai.

Partneritetin me Ministrinë e Diasporës ai e cilësoi si shumë të rëndësishëm.

Për këtë fushatë, Ministria e Diasporës ka rekrutuar rreth 100 zyrtarë, që do të përkujdesen për mikpritjen dhe regjistrimin e pjesëtarëve të diasporës gjatë kohës së qëndrimit që tyre në atdhe. E përveç regjistrimit, bashkatdhetarët do të mund të pajisen edhe me informacione rreth procedurave administrative.

Projekti i regjistrimit të diasporës, ka kaluar nga qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar.

Ky aktivitet organizohet nga Ministria e Diasporës dhe mbështetur nga UNDP/IOM. (lajmi.net).