Hapësira dhe forca e demokracisë

Nxitje për këtë shkrim u bë sulmi ndaj Capitol Hill që ngjasoi me disa nga ngjarjet pararendëse në Prishtinë e në Tiranë.

Opinion

16/01/2021 20:59

Xhavit HALITI

Ngjashmëria vizuale e sulmeve të dhunshme të demostruesve ndaj simboleve institucionale të shtetit në Uashington, Prishtinë dhe Tiranë më përballi me një problem kuptimor: Funksionimi i demokracisë në Kosovë dhe në Shqipëri është i njëjtë në përputhje me normat e demokracisë, që kanë për simbol e mishërim, “Shtëpinë e Bardhë”, e cila u bë e ‘bardhë’”në emër të lirisë.

Por, kjo ngjashmëri është e pakrahasueshme si politikisht dhe gjeografikisht, siç po paraqitet në mjaft analiza e shkrime mediatike. Është absurde që dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor, që ende nuk kanë një vend në BE, të krahasohen me simbolin e demokracisë.

SHBA-ja është organizmi shtetëror më i përfeksionuar në botë që ka funksionuar me ligj, me veprim, me autoritet, e njohur botërisht si “kështjella demokracisë”. Kosova e Shqipëria të cilat kanë 2-3 dekada që po përpiqen realisht të ndërtojnë struktura, ligje dhe shprehi demokratike, sipas modelit amerikan, nuk kanë as të drejtë dhe ca më pak aftësinë të vlerësojnë e të gjykojnë ngjarjen në Uashington.

Dy shtetet tona, të përgjegjshëm dhe të sigurt në përvojat institucionale të funksionimit të demokracisë në SHBA, në të shumtën e rasteve edhe pse duhej të ishin më të vendosur në zbatimin rigoroz të ligjit, janë stepur ose kanë hezituar të përballen me situata konfliktuale të njëjta. U sulmua dhe u dhunua “Shtëpia e Bardhë”, një akt dramatik i jetës së saj demokratike, por pas pak orësh çdo funksion u kthye në normalitet pa shere e përplasje midis partive politike. Mendoj se pas këtij parashtrimi më lind pyetja:-Ç’na mungon ne shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri t’i kapërcejmë shkurt dhe shpejt konfliktet me karakter politik?! Gjaknxehtësia, padurimi apo mosvlerësimi sa dhe si duhet i zbatimit të ligjit?!

Jo vetëm Kosova,  por mbarë Ballkani Perëndimor e ndjen mungesën e ekuilibrit midis lirisë dhe së drejtës të këtyre dy shtyllave thelbësore të demokracisë funksionale. Mendoj se nuk është çështje ndjeshmërie apo moskuptimi, por mungesë e vlerësimit të shtetit ligjor.

Njeriu, bashkimi i njerëzve, krijimi dhe “entuziazmi” i turmave gjithandej në botë është i njejtë. Ndryshon vetëm struktura shtetërore, forca e ligjit  dhe zbatimi i tij.Niveli i qytetarisë dhe mjedisi i favorshëm politik, janë dy faktorë të  domosdoshëm për lindjen dhe fuqizimin e demokracisë funksionale.

Prishtinë, 16.01.2021