Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vizituar familjen Prekazi në Prishtina, ku ka diskutuar për sfidat ekonomike me të cilat po përballen familjet kosovare si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.
Gjatë vizitës, Hamza ka theksuar se standardi i jetesës është përkeqësuar ndjeshëm, duke përmendur rritjen e inflacionit dhe shtrenjtimin e produkteve bazë.
“Është shumë shqetësuese rritja e çmimeve. Inflacioni vetëm në muajin mars ka arritur në 6.7% krahasuar me vitin paraprak… shumë produkte janë shtrenjtuar 50, 60 deri në 100 për qind”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka shtuar se rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve ndikon drejtpërdrejt në gjithë ekonominë, duke rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve.
Ndërkohë, kryefamiljari Afrim Prekazi ka thënë se familja e tij, sikurse shumë të tjera, po përballet me vështirësi të mëdha financiare për shkak të rritjes së shpenzimeve mujore.
“Janë rritur për 100% nxemja, rryma, uji dhe shumë shpenzime të tjera… për një familje me një të punësuar këto janë të papërballueshme”, ka thënë ai.
Edhe zonja e shtëpisë, Valbona Shala Prekazi, ka ngritur shqetësimin për përballimin e shpenzimeve të përditshme, duke theksuar se pagat nuk po e ndjekin rritjen e kostos së jetesës.
Në fund të vizitës, Hamza është shprehur optimist se përmes politikave të duhura dhe angazhimit institucional mund të përmirësohet situata ekonomike në vend, duke theksuar se qytetarët meritojnë një jetë më dinjitoze. /Lajmi.net/