Hamza: Vendimi i Hagës është i padrejtë, kemi pasur shqetësime të bazuara për procesin në Dhomat e Specializuara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak për verdiktin e 16 shtatorit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por ka thënë se kishte shqetësime të bazuara për mënyrën se si po zhvillohej procesi në Dhomat e Specializuara. I ftuar në…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak për verdiktin e 16 shtatorit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por ka thënë se kishte shqetësime të bazuara për mënyrën se si po zhvillohej procesi në Dhomat e Specializuara.
I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Hamza tha se shqetësimet e tij lidhen me, siç u shpreh ai, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe me trajtimin e kërkesave të palës mbrojtëse.
“Asnjë informacion, por shqetësime të bazuara në krejt ato që është zhvilluar dhe çfarë kanë ngja brenda Dhomave të Specializuara, mungesë e transparencës dhe llogaridhënies, mosrespektim i të drejtave të paraburgosurve, refuzim i çdo ankese dhe kërkese të palës mbrojtëse, sjellja e gjyqtarëve më shumë pyetje e kohë se Prokuroria”, ka thënë Hamza.
Duke komentuar aktgjykimin dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hamza tha se PDK-ja kishte besuar se ata do të shpalleshin të pafajshëm, duke u bazuar, sipas tij, në atë që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë dhe në përmbajtjen e aktakuzës.
“Bazuar në realitetin që ka ndodhë në Kosovë, bazuar në atë se çka ka përmbajtë aktakuza. Ne kemi besu me të drejtë të plotë, që liderët tanë kanë me u shpallë të pafajshëm. Ka qenë besim i bazuar në faktet që janë zhvilluar në Kosovë”, deklaroi ai.
Hamza e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, prova dhe argumente.
“Megjithatë ka ndodhë padrejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë. Kemi një vendim të padrejtë, të pabazuar në fakte, prova e argumente. Vendim jashtë çdo standardi të drejtësisë”, tha kreu i PDK-së.
Ai foli edhe për themelimin e Dhomave të Specializuara, duke thënë se ato janë krijuar si rezultat i bashkëpunimit dhe presionit të bashkësisë ndërkombëtare. Sipas Hamzës, në atë kohë ishte bërë një zgjedhje mes interesit të shtetit dhe mundësisë që individë të caktuar të përballeshin me kosto individuale.
“Gjykata ka ardhur si rezultat i një bashkëpunimi, përtej kësaj një presioni nga bashkësia ndërkombëtare. Qëllimi jonë ka qenë në atë kohë që me u përcaktu mes interesit të vendit dhe mundësisë që dikush ta paguajë një kosto individuale, duke besu fuqishëm që ato akuza janë të paqëndrueshme, të pavërteta. Normalisht është votu gjykata”, tha ai.
Hamza kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se ato janë jashtë mekanizmave të zakonshëm të llogaridhënies.
“Nuk ka gjykatë tjetër që është komplet jashtë llogaridhënies”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se, sipas tij, procesi deri tani nuk ka dëshmuar se drejtësia është vendosur në mënyrën e duhur.
“Ku ka drejtësi në një vend ku ulen financuesit, prokurori dhe kryetarja e gjykatës, kush e paguan koston aty, i akuzuari. Prandaj, ne kemi besu në drejtësi dhe po flas për nivelin e drejtësisë deri tani te Prokuroria, kjo u dëshmu që këtu drejtësi nuk ka”, ka thënë Hamza.