Hamza: S’ka arsye për zgjedhje të reja, PDK nuk jep përkrahje “blanko” – kthimi i Thaçit dhe Veselit do ta forconte partinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi duhet të krijojë sa më shpejt institucionet e reja, duke theksuar se nuk sheh asnjë arsye për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hamza tha se rezultati zgjedhor është pranuar nga të gjitha subjektet…

Lajme

02/07/2026 22:41

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi duhet të krijojë sa më shpejt institucionet e reja, duke theksuar se nuk sheh asnjë arsye për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Hamza tha se rezultati zgjedhor është pranuar nga të gjitha subjektet politike dhe se ekzistojnë formula për formimin e institucioneve.

“Unë dua të besoj që vendi do të ketë institucione. Nuk ka asnjë arsye që të ripërsëriten zgjedhjet. Ka më shumë se një formulë për krijimin e institucioneve. Rezultati është ky që është, zgjedhjet dhe rezultatin zgjedhor e kemi pranuar të gjithë, pavarësisht që gara nuk ishte e drejtë. Janë të faktuara këto dhe ne e kemi kontestuar procesin zgjedhor. Ulëset janë këto që janë”, deklaroi Hamza, transmeton lajmi.net.

Ai foli edhe për procesin zgjedhor, duke përmendur se ka pasur vota që, sipas tij, janë të vështira për t’u shpjeguar.

“Ka vota të çuditshme edhe vështirë të shpjegueshme, por është çështje e atyre partive politike. Unë e di që kanë qenë pesë ankesa në PZAP, por që të gjitha janë refuzuar. Sa i përket kandidatëve brenda Partisë Demokratike të Kosovës, unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, çdo kandidat që konsideroj që i është cenuar vota me shfrytëzu të drejtën e ankesës”, tha ai.

Hamza theksoi se PDK nuk do të mbështesë asnjë subjekt politik pa një marrëveshje të qartë.

“Unë e thashë qartë, PDK as nuk ia kërkon, as nuk ia jep askujt përkrahjen bllanko, po flas për përkrahje politike. Nuk mundet kushdo që të dalë me propozu sipas kritereve të veta, e me e përkrahë PDK-ja”, u shpreh ai.

Sipas tij, PDK ka kapacitete për të udhëhequr institucionet kryesore të vendit.

“PDK-ja ka emra të mjaftueshëm, të përgatitur për të gjitha pozitat që, në mënyrë të suksesshme dhe të përgjegjshme, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, të udhëheqin secilin institucion të Kosovës. E ka dëshmuar edhe në të kaluarën me pozitat e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, presidentit dhe ministrave se ka kapacitete të mjaftueshme”, tha Hamza.

Kreu i PDK-së komentoi edhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të partisë, duke thënë se pret një vendim lirues për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Ne presim, edhe pse në mënyrë të padrejtë u shty vendimi për në shtator, ne presim që liderët tanë, s’ka asnjë logjikë dhe as fakt përveç që të ketë një vendim lirues, dhe do të jetë një situatë, zgjedhjet e brendshme, kthimi i liderëve. Unë nuk mund të paragjykojë se a do të merren ata me politikë, është në të drejtën e tyre, asnjëherë me mua nuk e kanë thënë që do të jenë pjesë e politikës, por megjithatë Partia Demokratike e Kosovës kalon në një nivel tjetër të mundësisë që të ketë rezultat më të mirë, sesa që e ka pasë në zgjedhjet e fundit”, deklaroi Hamza./lajmi.net/