Hamza – Rizvanollit: Mund t’i humbë Kosova paratë, por ti je fajtore – Adresa jeni ju për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar Qeverinë lidhur me procedimin e dy projektligjeve që lidhen me Planin e Rritjes, duke thënë se përgjegjësia për humbjen e mundshme të fondeve bie mbi ekzekutivin dhe jo mbi deputetët. Gjatë seancës parlamentare, Hamza reagoi pasi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kërkoi miratimin e shpejtë…

Lajme

17/04/2026 11:27

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar Qeverinë lidhur me procedimin e dy projektligjeve që lidhen me Planin e Rritjes, duke thënë se përgjegjësia për humbjen e mundshme të fondeve bie mbi ekzekutivin dhe jo mbi deputetët.

Gjatë seancës parlamentare, Hamza reagoi pasi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kërkoi miratimin e shpejtë të dy projektligjeve, duke theksuar se ato janë kusht për përfitimin e mjeteve nga Plani i Rritjes dhe se Kosova rrezikon humbjen e rreth nëntë milionë eurove nëse nuk miratohen me kohë, transmeton lajmi.net.

Në foltore, Hamza tha se mënyra e procedimit të ligjeve po e dëmton rolin e Kuvendit dhe të deputetëve.

“Mund t’i humbë Kosova paratë, por ti je fajtore. Adresa jeni ju për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë për të debatuar për ligjin a është i mirë a është i keq, a duhet të plotësohet e ndryshohet, është në përgjegjësinë e deputetëve të Kuvendit. Po ju s’po e jepni këtë mundësi. Pse nuk e keni sjellë para dy javë ditëve a para një muaji? Ju vetë po deklaroni që ligji është prej 2024-ës atëherë e sillni në procedurë të përshpejtuar si shumicën e ligjeve që po vijnë në këtë Kuvend. Nëse dëshironi t’i trafikoni e kontrabandojnë ligjet, me ia cenu të drejtën e deputetëve që të diskutojnë dhe të japin kontributin e vet, është temë tjetër”, tha Hamza.

Ai i bëri thirrje Qeverisë që të ndalojë, siç u shpreh, këtë praktikë të përshpejtimit të ligjeve pa debat të mjaftueshëm parlamentar.

Hamza po ashtu pati kritika ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke reaguar pasi ajo nuk i kishte dhënë fjalën deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

“Të gjithë e dimë që je ajo dhe të takon detyra e përgjegjësia sa i përket interpretimit të Rregullores. Por mos e bën praktikë, në bazë të rregullores ka të drejtë kur i përmendet emri. Po e tejkalojmë, por mos të bëhet precedent dhe mos të bëhet praktikë se pastaj s’kemi mbarëvajtje të punës së Kuvendit”, tha Hamza./lajmi.net/