Hamza prezanton pesë zotimet e para: Rritje pagash, pensionesh dhe ulje tatimesh
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar pesë zotimet e para që, sipas tij, do t’i realizojë nëse merr drejtimin e qeverisë së ardhshme. Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Hamza ka deklaruar se këto zotime synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në…
Lajme
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar pesë zotimet e para që, sipas tij, do t’i realizojë nëse merr drejtimin e qeverisë së ardhshme.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Hamza ka deklaruar se këto zotime synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në vend.
Ai ka premtuar rritje prej 50 për qind të pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik, si dhe rritje prej 50 për qind të të gjitha pensioneve, përfshirë ndihmat sociale. Sipas tij, pensioni më i ulët do të jetë 250 euro.
Po ashtu, Hamza ka thënë se do të ulen tatimet mbi paga, në mënyrë që secili punëtor të ketë më shumë të ardhura neto në fund të muajit.
Në mesin e zotimeve, kandidati për kryeministër ka përmendur edhe uljen e TVSH-së për produktet esenciale, ku për disa prej tyre kjo taksë do të hiqet plotësisht, me qëllim uljen e çmimeve.
Një tjetër premtim i Hamzës është heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, për të siguruar, sipas tij, fatura më të ulëta dhe më të përballueshme për qytetarët.
Hamza ka theksuar se këto zotime janë të domosdoshme, të realizueshme dhe jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës. /Lajmi.net/