Hamza konfirmon se kanë takime me partitë politike për formimin e qeverisë: S’kam vija të kuqe për askënd, por me VV-në s’jemi takuar
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka mbajtur sot një konferencë për media. Hamza me këtë rast tha se edhe gjatë fushatës, por edhe më pas nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe dhe se është kundër vijave të kuqe në politikë. “Jemi në biseda dhe fatbardhësisht asnjë barrierë…

Lajme
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka mbajtur sot një konferencë për media.
Hamza me këtë rast tha se edhe gjatë fushatës, por edhe më pas nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe dhe se është kundër vijave të kuqe në politikë.
“Jemi në biseda dhe fatbardhësisht asnjë barrierë në komunikim me asnjë parti politike apo politikan në Kosovë nga an ime nuk ekziston dhe jam i gatshëm me bisedu.Jemi në biseda edhe me LDK, Aleancën e Nismën edhe me partitë e tjera. Nuk kemi mbërri me e ditë se qysh mundet me u dok qeveria, por nëse vjen radha unë jam i përkushtuar që vendit me i dhënë institucione. S’kemi mbërri ende në atë pikë që me diskutu për ndarje të institucioneve”, tha Hamza.
Ai theksoi se PDK e ka bërë të qartë se e vlerëson shumë votën e qytetarëve të Kosovës.
Duke iu përgjigjur çështjes së postit të kryeministrit, të cilën e pati deklaruar hapur i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, Hamza tha se për këtë ende s’është diskutuar me askënd.
“Kam shpreh falënderime për të gjithë qytetarët për një proces korrekt zgjedhor, megjithatë renditja është e qartë PDK është partia e dytë ka 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë s’kemi pasur kërkesë se qysh ka me u dok qeveria- radha dihet e këto do i diskutojmë”,shtoi ai, transmeton lajmi.net.
“Partisë më së madhe i takon me propozo kryetarin- pra nevojiten mbi 60 vota që të zgjedhet Kryetari i Kuvendit. Unë pres që të ketë reflektim të të gjitha partive e të mos ketë pengesë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pra të ketë vota të mjaftueshme të procedohet kuvendi më pas të vie momenti për marrjen e mandatit të qeverisë”, shtoi ai.
“Sa i përket takimeve me disa parti jemi edhe tek ajo pjesa ku realisht flasim për formulën e komponimit të qeverisë ndërsa as i përket disa partive politike edhe me LDK-në nuk kemi mbërri në atë fazë ku do të diskutojmë formulën e qeverisë. Por unë jam shumë i hapur për diskutime. S’jam prej atyre që për ndonjë detaj qes vështirësi në proces, por si ta bëjmë më të lehtë procesin. Kosovës në këtë fazë nuk i nevojitet vakumi institucional. Edhe për shkak të situatës gjeo-politike por edhe për shkak të çështjeve të tjera politikë. E natyrisht takimet mbahen të mbyllura brenda zyrave”.
“Jam i bindur se votimi do të jetë i njëjtë nga të gjithë deputetët e PDK-së. Unë e kam mbështetjen e plotë prej momentit të kandidimit prej kryetarit Krasniqi e të gjithë anëtarëve të kryesisë të PDK-së. Sa i përket krijimit të qeverisë ne kemi marrë iniciativë si PDK, i kemi ftuar i kemi takuar partitë politike. Me partinë e parë me Vetëvendosjen nuk kemi deri në këtë moment kurrfarë komunikimi zyrtar, nuk kemi marrë ftesë dhe s’kemi bërë ftesë. Realisht për shkak të programeve e bindjeve politike të proceseve për mu është e preferueshme krijimi i qeverisë me LDK-në dhe partitë e tjera të cilat kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Hamza.
Hamza po ashtu deklaroi se radha është e qartë, qytetarët kanë vendosur sa i përket formimit të qeverisë.
“E dyta sa i përket çështjes së presidentes jam i bindur se është proces i ndarë. Çdoherë ka qenë sfiduese zgjedhja e presidentit apo presidentes për zgjedhje edhe për shkak të mënyrës se si. Sepse herën e parë kërkohet mbi 80 persona prezent e është vështirë të arrihen 80 vota. Asnjëherë Kuvendi nuk ka shkuar në zgjedhje sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Në lidhje me Vetëvendosjen është në autoritetin e të drejtën e VV-së a ju bën ftesë partive të tjera politike a s’ju bën ftesë, deri tash në drejtim të PDK-së nuk ka ardhur asnjë ftesë që të kemi takime dhe biseda. Nuk mund të flasë për situata hipotetike sepse s’kemi ftesë”./Lajmi.net/