Hamza jep detaje për lirimet nga tatimi doganor për pajisjet e teknologjisë informative

Ministri i Financave Bedri Hamza në takimin e mbajtur sot për Media prezantoi vendimet e Ministrisë së Financave për lirimet nga Tatimi doganor për pajisjet e teknologjisë informative, lirimet nga Tatimi doganorë për pjesët rezervë për subjektet e regjistruara në ATK si subjekte prodhuese si dhe iniciativat tjera ligjore për reforma në tatime.

Lajme

11/04/2018 17:26

“Pas pranimit të rezultateve pozitive në sektorin e prodhimit të cilat kanë ardhur si rezultat i vendimeve për lirim nga tatimi doganor për lëndë të parë, gjysmë produkte, linja të prodhimit dhe pajisje të teknologjisë informative për prodhues, kemi vazhduar me takime intensive me komunitetin e biznesit duke përfshirë këtu të gjitha Odat, Klubet dhe Këshillat që veprojnë në Republikën e Kosovës në emër të subjekteve prodhuese, tregtare dhe zejtare, kemi dëgjuar për së afërmi sfidat me të cilat vazhdon të  përballet komuniteti i biznesit në vend, po ashtu kemi pranuar të gjitha kërkesat e tyre për ti përfshirë ato në ndryshimet e ardhshme”, tha ministri Bedri Hamza në takimin e mbajtur me media.

Ai gjithashtu theksoi se si rezultat i kësaj pune të madhe, për të ju ardhur në ndihmë prodhuesve tanë si në kërkesa po ashtu edhe në sfida, Ministria e Financave ka marrë vendim për lirimin nga tatimi doganor për pjesët rezervë për pajisjet e prodhimit për subjektet të cilat janë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës si prodhuese. Po ashtu duke e parë trendin shumë pozitiv të ofrimit të shërbimeve të TI-së jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit kemi marr vendim që ti lirojmë nga tatimi doganor të gjithë importuesit për importimin e pajisjeve të teknologjisë informative në Kosovë.

Ministri Hamza më tej shtoi se me vendimin për lirimin e pjesëve rezervë për prodhuesit, Qeveria e Republikës së Kosovës po ju ofron një mundësi tjetër të madhe prodhuesve për të prodhuar me kosto më të ulët se që e kishin deri më sot dhe këtë sfidë të prodhuesve tanë po e zgjidhim në mënyrën më të drejtë të mundshme, kërkesë e cila ishte me vite të tëra nga ana e prodhuesve tanë për të ju ndihmuar, ndërsa ne për 7 muaj mandat arritëm që të marrim vendim që t’i lirojmë tërësisht prodhuesit tanë nga tatimi doganor, akciza dhe TVSH-ja për lëndët, gjysmë produktet dhe pajisjet e prodhimit. Ministria e Financave përveç prodhuesve ka vendosur që ta ndihmoj edhe sektorin e shërbimeve, në këtë rast të rinjtë  të cilët janë shumë aktiv në ofrimin e shërbimeve të TI-së jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, me qëllim që ta zhvillojmë këtë fushë të shërbimeve.

Kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me theks të veçantë për të rinjtë dhe të rejat për hapjen e bizneseve të reja.

Ai gjithashtu tha se vendimet të cilat janë marrë sot nga Qeveria për lirime janë vendime të cilat kanë impakt financiar në buxhet, por impakti më i madh i tyre do të jetë pozitiv dhe do të ndikoj në zhvillimin e sektorit të prodhuesve privat dhe ofrimin e shërbimeve. Gjithashtu pritjet tona janë që këto vendime do të na sjellin rezultat shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik sikur që na kanë sjellë vendimet të cilat janë në fuqi nga 01 janari 2018. Këto vendime janë në harmoni me planin e Punës së Qeverisë dhe Strategjinë për zhvillim ekonomik të vendit.

Për këtë qëllim që ta zhvillojmë këtë fushë të shërbimeve, MF ka sjell vendim për lirim nga tatimi doganor këto pajisje të teknologjisë  informative;

  • Printerët, skanerët të cilët lidhen me kompjuterë.
  • Të gjitha ngjyrat që lidhen me çipa të ketrigjave.
  • Serverët, shtëpizat etj.
  • Kartelat amë, ram, qendra e procedimit qendror të të dhënave, DD Ram, SD Ram.
  • Të gjitha makinat për zyre apo ato të cilat mund të përdoren në ofrimin e shërbimeve.
  • Furnizuesit me rrymë, invertorët për sistem kompjuterik, modemet, ruterat etj.
  • Altoparlantët për sisteme kompjuterike.
  • Mediumet optike, CD, DVD Softuer, Softuer rrjeti etj.
  • USB, Flash etj.
  • Video digjital kamerat për sisteme kompjuterike.
  • Monitorët monokrom, me ngjyra në forma  LCD, LED OLED etj.
  • Modulet digjitale.
  • Konektorët për fibra optike, kabllo optike etj.
  • Bordet, panele dhe kabinat për të dhëna.
  • Modulet dhe pajisjet për Box Digjital.

Këto nuk do të jenë vendimet e fundit, ne do të vazhdojmë me reformën legjislative fiskale me Ligjet në të ardhura personale, Korporata, TVSH dhe Procedura të Administratës Tatimore. /Lajmi.net/